Bylisi është rikthyer në Superiore këtë edicion. Ballshiotët, nën drejtimin e trajnerit Veljko Dovedan, kanë surprizuar në 3 ndeshjet e para, pasi kanë arritur të grumbullojnë 4 pikë, duke marrë nga një humbje, një barazim dhe një fitore.
Skuadra në fushën e lojës duket mjaft e freskët dhe kjo për faktin se përgatitjet për këtë sezon kanë filluar herët.
Gjithashtu edhe merkatoja në Ballsh ka qenë aktive. Një prej lojtarëve që është transferuar tek Bylisi është edhe Eridon Qardaku, shkodrani, i cili në sezonin e kaluar luante me moshat e Vllaznisë, por që paraqitjet e tij ranë në sy dhe Bylis këtë verë e bëri pjesë të skuadrës.
19 vjeçari, në një intervistë të dhënë për newsport.al, ka folur që nga trajneri, e deri tek objektivat e klubit, por gjithashtu edhe objektivat e tij si futbollist. Më tej, Qardaku komenton edhe nëse shënon gol ndaj Vllaznisë, skuadër ku është rritur si lojtar.
– Qardaku, përse vendosët që këtë sezon të luanit me Bylisin?
Unë vendosa të luaj me Bylisin, sepse më tërhoqi projekti i këtij klubit. Gjithashtu, më përshtatej më së miri edhe për të arritur objektivat e mia.
– Çfarë objektivi i keni vënë vetes me Bylisin?
Bylisi ka shumë kualitet. Ne jemi një grup me futbollistë të mirë. Do thoja me shumë siguri, se nuk na mungon asgjë për t’u përballur me çdo ekip. Me harmoninë që kemi brenda skuadrës, besoj se do të arrijmë shumë lartë këtë edicion. Përsa i përket objektivave, më mirë t’ja lëmë fushës së blertë.
– Ju keni dalë nga akademia e Vllaznisë. Përse nuk qendruat tek Vllaznia, që këtë sezon është rikthyer në Superiore?
Nuk dua ta komentoj këtë çështje. Ajo që di të them është se fakti që u bëra pjesë e Bylisit, ishte zgjidhja më e mirë e mundshme.
– Ende nuk e keni gjetur rrugën e golit në 3 ndeshjet e para. Jeni përshtatur me skuadrën në fushë?
Çështja e golit ka qenë edhe çështje fati, sepse pothuajse në çdo ndeshje kam pasur mundësi të shënoj. Megjithatë, unë si natyrë nuk dorëzohem dhe kam shumë besim tek vetja se rrugën e golit do e gjej shumë shpejtë. Gjithsesi, më e rëndësishme është të ecë Bylisi para, pastaj, se kush shënon, pak rëndësi ka.
– Me cilën skuadër do doje të luaje tjetër në Superiore?
Po përderisa Bylisi më ka dhënë dorën e parë, kjo nuk është gjë e lehtë. Kështu që unë doja të luaja aty ku kam besim unë. Në Superiore nuk e gjej dot më mirë se këtu ku jam. Unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e Bylisit.
– Ndeshjen tjetër e keni me Kukësin. Mendoni se Bylisi i ka cilësitë për të marrë një tjetër fitore përballë nënkampionëve?
Bylisi hyn në fushë për të fituar, kjo është ajo që luftojmë në në çdo ndeshje. Nuk kemi frikë asnjë kundërshtar. Besoj shumë tek një tjetër fitore.
– Çfarë mendimi keni për trajnerin Dovedan?
Po përderisa shihet edhe në fushën e lojës harmonia, loja dhe dëshira që kemi, normalisht që meritën më të madhe këtu e ka trajneri.
– Kur të luani përballë Vllaznisë, nëse shënon gol, a do të festosh në fushë?
Jo nuk do festoj, sepse kam shumë respekt për ekipin e qytetit tim. Radhën tjetër shpëtuan për pak, por le të shohim në ndeshjen tjetër (qesh).
– A ka Qardaku ndonjë lojtar shembull në futboll, cilit i referoheni?
Unë i kam vënë vetes objektiva të qarta dhe kjo vjen vetëm me punë. Unë s’kam shembull ndonjë lojtar. Shembulli im është vetëm puna./newsport/