Ditën e sotme, është bërë prezantimi i trajnerit të ri të Vllaznisë në basketboll, Fabian Gjuka, dhe ky i fundit tashmë ka marrë drejtimin e ekipit të basketbollit për meshkuj të kuqebluve. Menjëherë, sapo ka mbërritur në Shkodër, ai nuk ka dashur të humbë kohë për fillimin e punës në krye të Vllaznisë, dhe ka nisur menjëherë stërvitjen me skuadrën kuqeblu.
Në intervistën përpara mediave, trajneri i ri Fabian Gjuka, thotë se ka ardhur në Shkodër për të bërë më të mirën me këtë ekip që ka një emër të madh dhe për ta nxjerrë nga situata e vështirë ku ndodhet për momentin.
“Arsyeja që kam ardhur në Shkodër, është shumë e thjeshtë. Vllaznia është një klub i madh, një klub me emër, dhe për këtë arsye kam vendosur të drejtoj Vllazninë. Për trofe kam ardhur në Shkodër dhe besoj një klubi të madh si Vllaznia, i ka hije të fitojë trofe.
Ekipi është i shkëlqyer, drejtuesit e klubit kanë bërë të pamundurën të kompletojnë skuadrën. Do shohim ndeshjen e parë si do shkojë. Për mua është kohë e vogël, mirëpo po mundohemi të jemi kompetitivë në ndeshjen e parë. Ekipi është formuar plotësisht, mirëpo të shohim në vazhdim. Ne do mundohemi dhe besoj se do kemi rezultate. Me ardhjen e basketbollistit amerikan, tani skuadra do kompletohet”,-shprehet kosovari.
Sipas trajnerit të ri, Gjukaj, lojtarët do të tregojnë një Vllazni tjetër në vijim, ndërsa objektiv parësor, tekniku kosovar ka fitimin e Kupës së Shqipërisë, sepse kampionati duket më i vështirë.
“Do e fitojmë kupën, për kampionatin nuk mundem akoma te jap vlerësimet e mia. Unë kam ardhur të fitoj dhe mendimi im është që do e marrim kupën”,-thotë ai.
Në fund, Gjuka ka edhe një falënderim për qytetin e Shkodrës, teksa thekson se shpërblimi nga ana e tij, do jetë që trofeu i kupës të vijë në Shkodër.
“Një falënderim qytetit të Shkodrës për besimin që më kanë dhënë mua, do jetë ajo kupë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë në basketboll për meshkuj, Fabian Gjuka.
Maringlen Zhivani