Vllaznia luan nesër ndaj Dinamos ndeshjen e rradhës për kampionat dhe padyshim që do të kërkojë fitoren edhe këtë herë. Një gjë të tillë paralajmëron edhe vetë tekniku Lika në prononcimin e tij për mediat një ditë para takimit.
Skuadra edhe në këtë ballafaqim do të ketë mungesa megjithatë kjo nuk e ndryshon objektivin e kuqebluve. Lika nga ana tjetër ka thënë se e respekton Dinamon dhe historinë e saj. Ja përgjigjet e pyetjeve të bëra për numrin 1 të pankinës shkodrane:
Profesor, kampionati gradualisht po shkon drejt fundit dhe kuptohet që edhe sfida me Dinamon ka rëndësinë e vet…
-Kjo është ndeshja e dytë e fazës së tretë dhe ka akoma ndeshje të tjera për të luajtur kështu që ne përgatitemi me seriozisht ashtu si gjithmonë për ta kaluar me sukses çdo kundërshtar që kemi përballë, nuk ka rëndësi nëse luajmë brenda apo jashtë fushës tonë.
-Ju ka shërbyer për mirë ndërprerja e kampionatit?
-Ishim në atmosferën e ndeshjeve megjithatë kjo ndërprerja na shërbeu në një aspekt tjetër. Ndonjë nga lojtarët që kemi patur të dëmtuar, ka patur më shumë kohë në dispozicion për t’u rikuperuar, pavarësisht se kemi ende ndonjë mungesë të rëndësishme. Megjithatë Likës, Hajdarit apo ndonjë tjetri, u ka shërbyer pozitivisht kjo periudhë, ashtu siç mund t’i shërbejë edhe ndonjë skuadre tjetër që mund të ketë probleme të tilla.
-Pavarësisht se në pozita të ndryshme, Vllaznia dhe Dinamo gjithmonë kanë dhuruar futboll të bukur. Do ndodhë kështu edhe nesër?
-Kjo është e vërtetë, gjithmonë kanë dhuruar futboll spektakolar. Vllaznia- Dinamo apo Dinamo- Vllaznia gjithmonë kanë qenë ndeshje të bukura, ndeshje me gola, të luftuara, kështu që ne jemi përgatitur si duhet për këtë ndeshjes sepse për ne mbetet sërish Dinamo, pavarësisht se në çfarë pozicionesh jemi.
-Luhet përsëri në “Reshit Rusi”, u mësuat me këtë fakt?
-Duhet t’i përshtatemi këtij fakti për më tepër që kemi të bëjmë me një ndeshje të rëndësishme të kombëtares në stadiumin tonë, prandaj pa mbaruar ajo jemi të detyruar të luajmë sërish këtu.
-Dinamo nuk ia ka dalë të marrë pikë ndaj Vllaznisë në dy ndeshjet e para, por do ta synojë këtë gjë tek kjo ndeshja e tretë. Edhe Vllaznia do synojë fitoren e tretë?
-Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos mendojmë se do ta kemi të lehtë sepse do kemi përballë një kundërshtar të fortë. Një kundërshtar i cili na ka vënë në vështirësi, sidomos në ndeshjen e dytë në Tiranë ku me vështirësi kemi fituar 1-0.
Kemi të bëjmë me një skuadër e cila në fillimet e saj të këtij sezoni kishte problemet e organizimit, por tani është një skuadër që është forcuar, është plotësuar me futbollistë dhe ka zhvilluar një kampionat të mirë, pavarësisht disa ndeshjeve të fundit jo në nivelin e duhur.
shkodrasport.com