Kastrioti është ekipi i parë që është rrëzuar zyrtarisht nga Abissnet Superiore. Tashmë, sezonin e ardhshëm krutanët do të luajnë në Kategorinë e Parë.

Prandaj, detyrimisht pritet të ketë largime të shumta gjatë verës dhe gjasat janë që të largohen edhe dy futbollistët shkodranë që janë tek ky ekip. Fjala është për dy mesfushorët Abaz Karakaçi dhe Edon Hasani, të cilët sipas të gjitha mundësive sezonin e ardhshëm nuk do të jenë më pjesë e skuadrës së Kastriotit.

Në kampionatin që po lëmë pas, Karakaçi u aktivizua në 32-ndeshje dhe shënoi po ashtu një gol. Ndërkohë nga ana tjetër, Hasani është aktivizuar 33-ndeshje dhe po ashtu edhe ai ka shënuar vetëm një gol.

Tashmë, pasi ta kenë mbyllur kampionatin me Kastriotin dhe të kenë zyrtarizuar edhe largimet e tyre nga ky ekip, mbetet për t’u parë se cila do të jetë e ardhmja e dy futbollistëve shkodranë, Abaz Karakaçi dhe Edon Hasani, pasi realisht bëhet fjalë për dy lojtarë që kanë spikatur këtë sezon me paraqitjet e tyre.
Maringlen ZHIVANI