Futbollistët shkodranë janë të shpërndarë në mbarë botën dhe përjashtim nuk bën as Italia, një vend shumë afër trojeve tona dhe që prej vitesh mirëpret emigrantët nga vendi ynë. Disa nga futbollistët me origjinë nga Shkodra duket se po hedhin edhe hapat e parë në futbollin e madh dhe po bëjnë emër në futbollin e shtetit fqinj.

Nga moshat 16-vjeçare deri në atë 21-vjeçare ka disa futbollistë që po spikasin me skuadra të ndryshme në Itali. Kështu, duke filluar nga porta, Marco Molla është njëri prej tyre, i cili këtë sezon ka qenë pjesë e Imoleses.

Në fakt, gardiani është grumbulluar edhe nga Kombëtarja e Shqipërisë, duke i dhënë besimin që të punojë fort në të ardhmen. Po ashtu, Enis Ujkaj është një tjetër portier me origjinë nga Shkodra që është pjesë e AC Bra në Itali.

Ndërkohë, edhe Elio Zalli është një mbrojtës 19-vjeçar, i cili luan aktualisht tek Renate. Edhe Daniel Hysaj i Napolit të Primaverës, kanë qenë një pikë e fortë e Kombëtares U-19 të Shqipërisë.

Kevin Haveri që militon në rradhët e Rimminit dhe ka spikatur këtë sezon si mbrojtës i majtë është një tjetër shkodran që po bën mirë në vendin fqinj. Si rrjedhojë e kësaj, ka firmosur edhe një kontratë tre-vjeçare me Torinon.

Gjithashtu, edhe Ervin Bashi tek Milan U-18 apo edhe Kleo Shpuza që luajnë si mbrojtës kanë qenë pjesë e vazhdueshme e Kombëtareve tona me grupmoshat. Klejdi Marinaj është një tjetër djalosh 17-vjeçar që aktivizohet tek Lazio dhe shihet si një element shumë i rëndësishëm në të ardhmen për klubin në fjalë.

Andrea Filipi është një tjetër futbollist që luan tek Asti dhe që ka spikatur herë pas here me performancat e tij. Në fakt, gjithë këta emra që ende janë në një moshë të re, pritet të jenë të rëndësishëm në futboll në të ardhmen.

Kjo koloni shkodrane në Itali, por edhe shumë futbollistë të tjerë që luajnë në shtete të tjera, tregon edhe njëherë për traditën e futbollit të qytetit tonë që trashëgohet brez pas brezi. /Maringlen ZHIVANI/

Daniel Hysaj / 19-vjeç / Napoli Primavera / Mbrojtës

Kevin Haveri / 21-vjeç / Rimini / Mbrojtës

Ervin Bashi / 17-vjeç / Milan U-18 / Mbrojtës

Enis Ujkaj / 19-vjeç / AC Bra / Portier

Kleo Shpuza / 16-vjeç / Udinese / Mbrojtës

Klejdi Marinaj / 17-vjeç / Lazio / Mesfushor

Marco Molla / 20-vjeç / Imolese Calcio / Portier

Elio Zalli / 19-vjeç / Renate / Mbrojtës

Andrea Filipi / 20-vjeç / Asti / Mesfushor