“Po pres ende më të mirën, e cila nuk ka ardhur ende”. Bruno Fernandesh është gjithnjë i drejtpërdrejtë në intervista.

Duke folur për sajtin e klubit, mesfushori portugez i Mançester Junajtidit bëri një bilanc të 24 muajve të tij të parë në “Old Trafford” që pas transferimit nga Sportingu i Lisbonës.

Pavarësisht dy viteve të kënaqshme në planin personal, numri 8 është i vendosur për të fituar trofe me “Djajtë” dhe nuk e kënaq asgjë tjetër veç tyre.

“Unë ende mendoj se objektivi im kryesor është ende që të fitoj trofe. Mendoj se ky është synimi për këtë klub dhe ka qenë gjithnjë dhe ne nuk mund ta fshehim. Ti duhet të mendosh ndeshje pas ndeshjeje dhe ta shohësh të radhës si më të rëndësishmen. Objektivi i një klubi si Junajtid është të fitojë gjithnjë trofe”, tha 28-vjeçari.