Shkruar nga Endri ÇINARI
Gerald Kubazi po shfaqet si një nga surprizat më të këndshme të kësaj faze përgatitore te Vllaznia. Sulmuesi 19-vjeçar ka marrë minuta në miqësoret e zhvilluara gjatë kësaj vere dhe paraqitjet e tij kanë qenë gjithnjë e më bindëse. Përtej golave, Kubazi ka treguar ritëm, lëvizje dhe një pjekuri që duket se është rritur ndjeshëm në krahasim me sezonin e kaluar.
Shtatshkurtër, por tepër aktiv në repartin ofensiv, sulmuesi kuqeblu po tregon se mund të jetë një alternativë serioze për formacionin e Vllaznisë. Kubazi nuk është mjaftuar vetëm me finalizimet, por ka qenë i përfshirë në aksionet sulmuese, duke krijuar hapësira, kërkuar vazhdimisht topin dhe duke i dhënë më shumë intensitet lojës së skuadrës.
Ajo që bie më shumë në sy është vazhdimësia. Në miqësoret e kësaj vere, 19-vjeçari ka qenë pothuajse gjithmonë një nga lojtarët më aktivë në fazën ofensive, duke dhënë sinjale të qarta se është në një moment të mirë të karrierës së tij. Në sfidën e fundit ndaj Tërbunit në Pukë, ishte pikërisht Kubazi ai që zhbllokoi rezultatin, duke konfirmuar edhe një herë instinktin e tij përpara portës.
Forma e tij krijon edhe një “problem” pozitiv për trajnerin Edi Martini. Në një skuadër që tashmë duket më e plotë në repartin ofensiv, një Kubazi në këtë nivel i shton edhe më shumë alternativat teknikut shkodran. Përzgjedhja e formacionit titullar mund të bëhet më e vështirë, por njëkohësisht edhe më konkurruese, pasi çdo futbollist duhet të fitojë vendin e tij me paraqitje.
Për Vllazninë, shpërthimi i një tjetër elementi të ri është padyshim një bonus i rëndësishëm përpara një sezoni që pritet të jetë i gjatë dhe kërkues. Kubazi sjell energji, shpejtësi dhe freski në sulm, ndërsa nëse vazhdon me të njëjtin ritëm, mund të shndërrohet në një alternativë të rëndësishme për kuqeblutë gjatë kampionatit.
Në këtë pikë të përgatitjeve, sinjalet janë pozitive si për vetë futbollistin, ashtu edhe për stafin teknik. Martini tashmë ka një tjetër lojtar që troket fort në derën e formacionit, ndërsa Vllaznia mund të përfitojë nga konkurrenca e shtuar brenda grupit. Një Kubazi në formën e tij ideale është pikërisht ajo që çdo trajner do të dëshironte në prag të startit të një sezoni të ri.
Forma në rritje e sulmuesit, “ngroh” stafin e Vllaznisë


