Vllaznia do të ketë sot dy mungesa të sigurta, pikërisht qendërmbrojtësit Darko Bulatoviç dhe Marko Juriç.I pari ka mbyllur vitin pas dëmtimit të rëndë, ndërsa i dyti është rikthyer në stërvitje, por nuk është në gjendjen optimale për të përballuar një ndeshje.
Kësisoj, trajneri Mirel Josa është i detyruar që në përballjen me Tiranën të bëjë ndryshime në repartin e prapavijës.
Në bazë të asaj që është provuar në stërvitjet e fundit, Josa ka spostuar në qendër të mbrojtjes kapitenin Gurishta, i cili do të formojë dyshen me Dajan Shehin.
Në këtë periudhë përgatitore është provuar si titullar edhe talenti i akademisë, Flori Spahija, por mesa duket kreu i pankinës nuk kërkon të fusë nën presion 19-vjeçarin, pasi bëhet fjalë për një finale, duke besuar më tepër tek eksperienca e Gurishtës dhe Shehit.
Nga krahët e mbrojtjes do të rreshtohen Arsid Kruja në të djathtë dhe Esin Hakaj në të majtë.Në mesfushë konfirmohet treshja e zakonshme e ndeshjeve të fundit:
BoshnjakuJonuzi-Alivoda. Me skemën 4-3- 3, që në pozita mbrojtëse të ekipit bëhet 4-1-4-1, maja e sulmit do t’i besohet Ardit Hoxhajt, i cili ka fituar balotazhin me Aralicën.
Nga krahët e ofensivës Josa i ka besuar Esat Malës në të djathtë dhe Herald Markut në të majtë.Me shumë mundësi Liridon Latifi do të marrë minuta në pjesën e dytë, por kjo do të shikohet në varësi të lojës.