Përfaqësuesja shqiptare e futbollit ka mbyllur sot përgatitjet për ndeshjen kundër Islandës dhe tashmë trajnerit Reja i ka mbetur vetëm të zgjidhë dilemat e fundit që ka në kokë sa i përket rreshtimit që do të hedhë në fushën e lojës për sfidën kundër nordikëve.
Mbrojtje e kujdesshme, por edhe shtatlartësi për të përballuar gjigandët islandezë, pa harruar këtu edhe shpejtësinë në manovrën ofensive për të zënë të papërgatitur kundërshtarët. Trajneri është i fokusuar te skema e tij e preferuar 3-5-2, por vazhdon të bëjë ndryshime në çdo seancë, për të parë se si përshtaten lojtarët në fushë.
Pjesa më e madhe emrave të formacionit është zgjidhur, si treshja e mesfushës Basha-Xhaka-Kaçe, Dermaku që udhëzon prapavijën, apo Lenjani si i majtë. Problemi kryesor për momentin duket se është të zgjidhet kush do të luajë përkrah Armando Sadikut në sulm. Trajneri ka provuar Uzunin, ndërsa ka parë në veprim edhe Çikalleshin e Balajn.
Por në ditën e fundit ka menduar edhe për një “surprizë” ndaj islandezëve, duke provuar Roshin në rreshtim, në krah por edhe në mbështetje të Sadikut. Lojtari vjen nga një dëmtim i gjatë, por në javët e fundit ka luajtur rregullisht te Akhmat Grozni, ndaj është në formë për të dhënë kontributin e tij në këtë ndeshje shumë delikate për kuqezinjtë. Shpejtësia e “Raketës” mund të jetë zgjidhja që kërkonte Reja për sfidën në fjalë./vipsport/