Tre ndeshje, tre fitore në ndeshjet e fundit për “Juban Danjen” dhe ajo ngjitet sërish në renditje. Pasditen e sotme ka fituar me rezultatin e thellë 6-0 ndaj Bilisht Sport në ndeshjen e luajtur në kompleksin sportiv “Zmijani”.

Rezultati është zhbllokuar shumë shpejt. Në minutën e 5-të ka qenë Thomaj që ka shënuar golin e parë duke i hapur rrugë pastaj golave të tjerë. Madje brenda pak minutash kanë ardhur edhe tre gola të tjerë.

Autorë të tyre kanë qenë Tanushi, Muçejani dhe P.Jaku. Pjesa e parë në këtë mënyrë është mbyllur me rezultatin 4-0. Në të dytën ndërkohë janë shënuar edhe dy të tjerë, njëri nga Thomaj, i dyti për të në këtë ndeshje ndërsa i fundit ka qenë autogol i Topit.

Përfundimisht 6-0 për “Juban Danjen” që kësisoj ngjitet në kuotën e 13 pikëve duke mbajtur vendin e gjashtë në renditje.

Ecuria e këtij ekipi në ndeshjet e fundit ka qenë e shkëlqyer dhe nëse vijon në këtë mënyrë, me siguri që do të vazhdojë të ngjitet në renditje.
© shkodrasport.com