Liridon Latifi është bërë sot protagonist me Pushkash Akademi, duke ndihmuar skuadrën e tij që të mbyllë pjesën e parë të sezonit me një fitore të rëndësishme 2-0 përballë Mezokovesd-Zsory.

Skuadra e mesfushorit kishte filluar shumë keq kampionatin por falë rezultateve të fundit, i është shkëputur ekipeve që luftojnë për mbijetesë dhe suksesi i sotëm e afron me grupin e mesit të tabelës.

Në fakt, mesfushori shqiptar e nisi ndeshjen e sotme si zëvendësues, por u aktivizua në minutën e 57 të sfidës kur shifrat ishin ende 0-0. Ai la shenjë menjëherë pasi 3 minuta më vonë dha një pasim të saktë për Knezeviç, i cili shënoi golin e avantazhit.

Në minutën e 69-të, pas një tjetër aksioni të Latifit erdhi edhe penalltia që u shënua nga Knezeviç, duke vulosur suksesin 2-0 të skuadrës së Pushkash Akademi, e duke treguar se mesfushori i kombëtares ndoshta meriton më shumë vëmendje në pjesën e dytë të këtij sezoni. /vipsport/