Vllaznia U21 arriti një barazim 1-1 ditën e shtunë kundër Bylis në transfertë. Ekipi i drejtuar nga Plori, u përgjigj në mënyrën e duhur kundër kampionëve në fuqi të kësaj grup moshe. Duke lënë kështu garën e hapur për titullin kampion deri në fund. Ku kundërshtar direkt këtë edicion është sërish Bylis.

Protagonist në këtë takim ishte Paulo Pjeshka. I cili me golin e tij në minutën e 51-të, arritu barazimin pas avantazhit momental të mallakastriotëve me anë të Doi. Një moment i artë ky për mesfushorin shkodran, që në këto javë po kalon një formë të shkëlqyer në rradhët e 21-vjeçarëve. Kjo pasi ky ishte goli i dytë rradhazi në dy ndeshjet e fundit.

Javën që kaloi Pjeshka shënoi mjeshtërisht me anë të një goditje dënimi në minutën e fundit të ndeshjes kundër Korabit. Duke i dhënë fitoren 1-0 përballë dibranëve skuadrës kuqeblu. Kësaj rradhe ai ishte sërish vendimtar me rrjetën edhe kundër Bylis. Një formë e shkëlqyer kjo e mëngjërashit, që është pjesë e skuadrës së parë, por pa pasur hapësirat e duhura të aktivizimit.

Prandaj edhe drejtuesit e kanë parë të udhës që 19-vjeçari të marrë minutat tek ekipi U21. Por paraqitje të tilla patjetër që do tërheqin vëmendjen e dyshes Miloti-Sinani tashmë në krye të Vllaznisë. E në këtë fund kampionati mund të ketë një tjetër surprizë pozitive siç ishin Alivoda dhe Smajli gjatë këtij edicioni për shkodranët.
Endri ÇINARI