Departamenti i ri i Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit në FSHF, ka publikua disa të dhëna shumë interesante sa i përket Kategorisë Superiore në këtë edicion. Në një kampionat ku flitet thuajse gjithmonë për cilësinë e sulmuesve dhe saktësinë e tyre, departamenti i FSHF ka publikuar të dhënat që tregojnë se kush ka sulmin më cilësor në këtë aktivitet.

Nëpërmjet grafikëve tregohet se skuadrat që bëjnë më shumë tentativa drejt portës janë Laçi e Bylis, të cilat regjistrojnë mbi 13 të tilla mesatarisht për ndeshje. Por saktësia e tyre nuk është ndër më të mirat, pasi mesatarisht qëndrojnë poshtë 4,5 gjuajtjeve që përfundojnë në kuadratin e portës kundërshtare.

Partizani është skuadra që ka mesataren më të lartë të gjuajtjeve në kuadrat për ndeshje, duke qenë mbi 4,5, i ndjekur nga Tirana që e ndjek në kufijtë e kësaj shifre. Ndërkohë, vlen për t’u theksuar se ka skuadra që gjuajnë pak dhe çojnë topin në kuadrat shumë pak, siç janë Vllaznia, Flamurtari e Luftëtari të cilat mesatarisht nuk dërgojnë topin në kuadrat as 3 herë në një ndeshje.

Sipas të dhënave të publikuara nga FSHF, Tirana dhe Partizani janë skuadrat që kanë sulmet më cilësore sa i përket raportit gjuajtje në kuadrat/gjuajtje në total. Tirana dërgon 39,9% të gjuajtjeve në portë, ndërsa Partizani 37,1%.

Skuadrat e tjera janë më të shkëputura dhe bie në sy, e evidentuar edhe nga FSHF, se Luftëtari e Skënderbeu kanë një përqindje më të mirë gjuajtjesh në portë se Kukësi kryesues. Në këtë statistikë, Vllaznia është skuadra më e dobët e Superiores. /vipsport/