Mjafton kjo foto e mësipërme, shkrepur nga fotoreporteri i njohur Fatlum Kurtaj, për të kuptuar momentin e vështirë që po kalon trajneri i kombëtares shqiptare Cristian Panucci. Të dëgjosh 8 mijë tifozë të skuadrës që ti drejton duke të sharë në kor, kuptohet që nuk është diçka absolutivisht e mirë.

Të dëgjosh e të mësosh se shumë specialistë e gazetarë duan tashmë largimin tënd, sigurisht që nuk të bën të ndihesh mirë. Në pamje të parë të krijohet ideja se italiani po mendon “vetëvrasjen” dhe ia ka vënë duart në fyt vetes. E tregon këtë gjë më së miri edhe fotoja e këtij shkrimi.

Por në fakt, ai ndonëse e ka drejtuar gishtin drejt vetes për të gjithë atë paraqitje të turpshme të bërë ndaj Skocisë, sërish nuk ka ndër mend të tërhiqet.

Ai sot ka dalë në stërvitje me ekipin dhe po fillon të mendojë gati atë për sfidën e së martës ndaj Uellsit. Pas kësaj ndeshje, me siguri që do të ketë një përballje me presidentin Duka dhe pas saj nuk dihet se çfarë do të ndodhë, do të vazhdojë të drejtojë kombëtaren shqiptare apo jo.
© shkodrasport.com