Pas suksesit mbrëmjen e djeshme ku Kombëtarja e Shqipërisë arriti të merrte një fitore shumë të rëndësishme ndaj Andorrës, në një moment ku morali i futbollistëve nuk ishte i lartë pas disfatës në ndeshjen e parë me Turqinë por edhe pas shkarkimit të Panuçit, 3 pikët ishin thelbësore për vazhdimësinë e grupit kualifikues. Ndërkohë, që edhe lojtarët tashmë do të kthehen te klubet e tyre më të qetë pas suksesit me Kombëtaren.
Pikërisht, klubet në të cilat aktivizohen disa prej futbollistëve të Shqipërisë, kanë uruar për fitoren përballë Andorrës. Kështu, nëpërmjet postimit në Twitter, Napoli ka uruar Elseid Hysajn, ndërsa dhe Atalanta përmes llogarisë zyrtare të klubit në Twitter ka uruar 2 shqiptarët e saj, Etrit Berishën dhe Berat Gjimshitin.
Ndërkohë të njëjtën mënyrë ka ndjekur edhe klubi i Hajdukut të Splitit në Kroaci, ku aktivizohet qëndërmbrojtësi Ardian Ismajli, teksa ka uruar kosovarin në Twitter.
Sakaq, Duhet përmendur se Ardian Ismajli ishte një nga më të mirët në dy ndeshjet e luajtura dhe Shqipëria ka në organikë një mbrojtës, i cili jep siguri në repartin e prapavijës pavarësisht moshës së tij të re. /VipSport/