Vllazninë e pret një kalendar i vështirë në sprintin final. Tashmë, sikleti i shkodranëve është të futen në zonën europiane, pikërisht në vendin e tretë, që të çon në Kupat e Europës.

Skuadra e Elvis Plorit po lëkundet në rezultate, duke mos gjetur qetësi dhe humbur shumë në renditje. Me katër pikë më shumë nga Kastrioti dhe një më pak se Partizani, shkodranët kanë përpara një takim delikat ndaj Partizanit, ku minimalisht nuk duhet të humbasin.

Kjo e shtunë e vendos ekipin e Plorit në një ndeshje delikate, teksa luan në “Loro Boriçi” me Partizanin, që po provon edhe ajo shanset e saj në luftën për Europën.

Vllaznia ka pësuar 6 humbje, në sezonin aktual. Misioni i vetëm që ka mbetur tashmë, është të futet në vendin e tretë, por nga ana tjetër kalendarin ndoshta nuk e ka në favor, me përjashtim të dy ndeshjeve me dy vendet e fundit.

Pas ndeshjes me të kuqtë, e pret sfida me Skënderbeun në shtëpi, që do të pasohet nga transferta me Dinamon dhe në fund katër ekipe që janë në garë për objektiva të ndryshëm, si: Kukësi, Tirana, Egnatia dhe Kastrioti.

Fakti që do të përballet me ekipe që ende nuk kanë mbyllur llogaritë matematikisht me objektivat e tyre, me përjashtim të bardhebluve që po shkojnë drejt titullit, e bën edhe më të vështirë situatën. Në Shkodër shpresojnë që, deri në përballjen direkte me Kukësin të jenë të afruar me pikë.
Maringlen ZHIVANI