Vllaznia nuk po kalon një formë të mirë, teksa në katër ndeshjet e fundit ka grumbulluar vetëm dy pikë. Synimi i të besuarve të Elvis Plorit është Europa, qoftë nga kampionati, qoftë nga Kupa, por fillimisht duhet harruar barazimi ndaj Teutës.

Drejtuesit e klubit kuqeblu ia kanë bërë të ditur stafit teknik, si edhe futbollistëve, se presin më shumë në fushë sa i përket lojës. Tashmë në Shkodër duan fitore, duke nisur që nga ndeshja me Partizanin. Në ekip ka lojtarë shumë cilësorë dhe që bëjnë diferencën, prandaj pritet nga lojtarët një lojë e bukur.

Gjithçka duket se është më se e qartë. Të gjithë presin më shumë nga ky ekip i superinvestuar, jo vetëm në rezultate, të cilat nuk i vendosin në diskutim, por mbi të gjitha janë në pritje të një reagimi pozitiv, sa i përket paraqitjes së tyre.

Vllaznia i ka të gjitha mundësitë për të dhuruar emocione nëpërmjet lojës, si drejtuesve, por edhe tifozëve kuqeblu. Të gjithë presin reagimin e ekipit sa më shpejt, dhe duhet të përmirësohet loja.

Në Shkodër kërkohet të shikojnë futboll të vërtetë dhe një lojë të bukur në fushë. Deri më tani, Vllaznia ka pasur shumë luhatje dhe ende nuk është në ato nivele që të gjithë presin.

Në sfidën e rradhës, do të përballet nesër ndaj Partizanit, në një ndeshje tejet të fortë për ta. Edhe pse vitet e fundit, Vllaznia i ka vendosur në vështirësi “demat”, të gjithë janë të ndërgjegjshëm se nuk do ta kenë të lehtë përballë tyre.

Ndërkohë, për t’u theksuar është fakti se vitet e fundit kur ka luajtur ndaj Partizanit, Vllaznia ka bërë mirë, megjithatë kësaj here pritet të jetë e vështirë. Gjithsesi, kuqeblutë do të bëjnë të pamundurën në fushën e lojës për të mos zhgënjyer, aq më tepër që do të luajnë në Shkodër. Në këto kushte, të gjithë janë të angazhuar për t’u rikthyer me serinë e rezultateve pozitive.
Maringlen ZHIVANI