Bashkia Shkodër ka organizuar ditën e djeshme një dëgjesë publike me 14-shoqatat e sportit shkodran, duke filluar nga volejbolli, basketbolli, atletika, boksi, çiklizmi, peshëngritja, mundja, futbolli i femrave, noti, gjimnastika, ping-pongu dhe xhudoja. Të pranishëm ishin të gjithë përfaqësuesit e këtyre shoqatave, në dëgjesën publike që u zhvillua në sallën e Këshillit Bashkiak të Shkodrës.
I pyetur në lidhje me një gjë të tillë, presidenti i Vllaznisë në volejboll për femra, Florian Zekja, në fjalën e tij tha se kjo dëgjesë ishte shumë pozitive, sepse tregon shumë përgjegjësi nga Bashkia dhe Këshilli Bashkiak. Zekja u shpreh se reagimi ishte shumë pozitiv, teksa 14-shoqatat mbetën të kënaqura, ndërsa theksoi se pritet të realizohet edhe një takim i dytë në një moment tjetër të mëvonshëm.
“Dëgjesa publike? Atëherë, ishte një dëgjesë e kërkuar nga një grupim i 14-shoqatave drejtuar Këshillit Bashkiak. Unë mund të them se është dëgjesa e parë që bëhet në qytetin e Shkodrës. Eshtë shumë pozitive, sepse tregon përgjegjshmëri nga ana e Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak dhe po ashtu edhe një përgjegjësi e shoqatave sa i përket menaxhimit të këtyre ekipeve.
Reagimi ishte shumë pozitiv, ne jemi të kënaqur. Ishte takimi i parë, por do kemi një takim tjetër prapë më vonë. Po ndërtohet një grup i përbashkët mes grupimit të shoqatave dhe Zyrës së Rinisë dhe Sportit. Kaq mund të them për momentin”,-mbylli prononcimin e tij, presidenti i Vllaznisë në volejboll për femra, Florian Zekja.
Maringlen ZHIVANI