Shqipëria është në kërkim të fitores së parë për vitin 2022, teksa shansi i fundit për t’ia dalë është Armenia. Pas humbjes me Italinë, këtë herë priten jo pak emra të rinj, kryesisht fubollistë të Superiores.

Njëri nga këta do të jetë edhe kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta. Në ndeshjen e sotme miqësore të Kombëtares së Shqipërisë ndaj Armenisë, ai do ta nisë nga minuta e parë, teksa është përzgjedhur në këtë mënyrë nga ana e trajnerit Edoardo Reja.

Padyshim që, ky është një lajm i mirë dhe fantastik jo vetëm për vetë Gurishtën, por edhe për Vllazninë, sepse më në fund kapiteni i saj po shfaqet si protagonist edhe në rradhët e ekipit të Kombëtares. Gurishta pritet të formojë mbrojtjen me tre së bashku me Adrian Bajramin dhe Kumbullën, teksa në portë do të jetë Kastrati.

Me skemën 3-5-2, mesfusha do të jetë e përbërë nga Hadroj në të djathtë dhe zv/kapiteni Hysaj në të majtë, ndërsa qendra do formohet nga Çokaj, Asllani dhe Laçi. Ndërkohë, në majën e sulmit do të jetë dyshja Skuka-Muçi.

Ndeshja Shqipëri-Armeni do të luhet pasditën e sotme në “Air Albania Stadium”, duke nisur nga ora 17:30 dhe do të transmetohet live në kanalet e platformës “SuperSport”, teksa padyshim që pritet një fitore e kuqezinjve. /Maringlen ZHIVANI/

Formacioni i Shqipërisë (3-5-2): Kastrati, Gurishta, A. Bajrami, Kumbulla, Hadroj, Çokaj, Asllani, Laçi, Hysaj, Skuka, Muçi Tr: Edoardo Reja