Vllaznia do të luajë ditën e nesërme në stadiumin “Loro Boriçi”, “finalen” e Europës ndaj Partizanit.
Në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij fund-sezonit, që do të përcaktojë vijimin e garës për shkodranët drejt synimeve të Kupave të Europës nga kampionati, trajneri Elvis Plori mund të mbështetet te një grup më i plotë për të përballuar këtë sfidë.

Përballë Partizanit në kampionat, Vllaznia do të ketë vetëm një mungesë të rëndësishme, siç është ajo e Victor Da Silvës, për shkak të dëmtimit.

Duke lënë mënjanë mungesën e Diagne, që duket se ka mbyllur edhe aventurën e tij te Vllaznia, Da Silva do të jetë i vetmi problem për Plorin, në ndeshjen deçizive të së shtunës.

Në seancën stërvitore të ditës së sotme që u zhvillua në stadiumin “Loro Boriçi”, trajneri Plori ka menduar edhe për formacionin e mundshëm, që do të hedhë në fushë përballë të kuqve të kryeqytetit.

Saktësi në pasime, qarkullim i dendur i topit dhe mbi të gjitha finalizim i rasteve të krijuara kanë qenë porositë e Plorit, në seancën që zgjati 90 minuta.

Shpresat për një fitore janë të mëdha dhe për këtë arsye, Plori është i gatshëm për të zgjedhur më të mirët në fushë ndaj kundërshtarit direkt, Partizanit.

Kështu, nga porta do ta nisë Zogoviç dhe para tij do të luajë dyshja e qendrës e formuar nga Adili dhe Bulatoviç. Për të kompletuar repartin defensiv, do të luajë kapiteni Gurishta në të djathtë dhe Hakaj në të majtë.

Në mesin e fushës, Jonuzi dhe Krymi, do të jenë dy ekranet, që do të mendojnë për prishjen e aksioneve kundërshtare dhe ndërtimin e lojës së Vllaznisë.

Gjurgjeviç pritet të jetë i vendosur disi më para dy mesfushorëve, ndërsa në repartin e avancuar, Kruja ose Hoxhaj nga njëra anë dhe Latifi në anën tjetër, do të mbështesin Aralicën në majë të sulmit.
Maringlen ZHIVANI