Në listën e parë të shpallur ditën e premte nuk ka qenë por dje po. Dritan Smajli është thirrur nga ana e trajnerit De Biazi por dëmtimi I papritur I Vangjelit, ka bërë që gjërat të ndryshojnë. Për rrjedhojë, mesditën e djeshme për lezhjanin ka patur një rrjedhë tjetër gjërash. Një telefonatë e papritur, I ka ringjallur ëndërrën e tij për të qenë një ditë në kombëtare. Kur dukej se ndër lojtarët e grumbulluar nga kombëtarja shqiptare për miqësoren e 29 shkurtit me Gjeorgjinë, nuk do kishte asnjë futbollist të Vllaznisë, ka ndodhur e papritura. Dritan Smajli ka marrë dje një telefonatë nga menaxheri i ekipit kombëtar Redi Jupi për të qenë edhe ai në rradhët e ekipit kombëtar për këtë miqësore. Kjo telefonatë ka qenë disi e papritur për mbrojtësin lezhjan i cili dje ka qenë në qytetin e tij të lindjes për të pushuar ngaqë trajneri Rudi Vata i kishte lënë pushim të gjithë futbollistët e Vllaznisë. E pranon edhe vetë lojtari kur do të shprehej: “Të them të drejtën e kisha pritur ndoshta para se të shpallej lista zyrtare një ftesë për të qenë në kombëtare për këtë miqësore por meqë emri im nuk ishte në listën e 19 lojtarëve, e fjeta mendjen që nuk do isha. Telefonata e sotme (e djeshme) e Jupit më befasoi por sigurisht edhe më ka entuziasmuar. Kjo do jetë ndeshja ime e parë dhe kuptohet që po e pres me një dëshirë të madhe. Ka dy-tre vjet që ndoshta e kam ëndërruar një ftesë të tillë sepse kam qenë gjithnjë titullar me Vllazninë, kam bërë një paraqitje të mirë edhe në ndeshjet ndërkombëtare të saj dhe më duket se vetëm ardhja e trajnerit De Biazi, kanë bërë që gjërat të ndryshojnë sepse ai po I sheh më ndryshe lojtarët e kampionatit shqiptar. Pas zborit që bëmë pak kohë më parë, tashmë vjen rradha e kësaj miqësores me Gjeorgjinë ku ka marrë disa lojtarë të kampionatit tonë dhe kjo është shumë positive”. Pikërisht ngaqë ftesa  e djeshme ka qenë e papritur, Smajli menjëherë ka udhëtuar drejt Shkodrës për të marrë këpucët dhe material të tjera sportive që do t’I duhen me vete sepse mëngjesin e së dielës herët është nisur bashkë me futbollistët e tjerë të thirrur nga ana e trajnerit Xhovani De Biazi për miqësoren e datës 29 shkurt me Gjeorgjinë. Kjo do jetë thirrja e parë e Smajlit në kombëtaren shqiptare dhe sigurisht që është një vlerësim për karrierën shumë të mirë që ai ka bërë prej 4 sezonesh me Vllazninë. Tashmë është fakt I kryer që Smajli do jetë në Tbilis për këtë takim por ende nuk dihet nëse do luajë apo jo. Fakti që do zëvendësojë Vangjelin që ishte menduar si titullar, të çon në supozimin se mbrojtësi kuqeblu mund të jetë në fushë nga minuta e parë edhe ngaqë nuk ka shumë mbrojtës në dispozicion. Por Smajli nuk shkon kaq larg. Në prononcimin e tij para nisjes do thoshte: “Do ishte një mrekulli sikur të luaja titullar por edhe nëse luaj qoftë edhe 5 minuta sërish do ishte realizimi I një ëndërrë të madhe për mua si futbollist. E rëndësishme është të debutoj me kombëtaren se në të ardhmen pastaj mund të kem sërish shanse të tjera për të luajtur, gjithnjë nëse e justifikoj me paraqitjen tim besimin e trajnerit De Biazi”. Dritan Smajli në këtë mënyrë, mëngjesin e sotëm është nisur drejt Gjeorgjisë për të qenë në dispozicion të teknikut të kombëtares për ndeshjen e rradhës miqësore që do zhvillojë kombëtarja jonë.

Gjergj KOLA