Sezoni i fundit i Kategorisë Superiore, u kthye në javën e fundit në një teatër të hapur, ku Vllaznia triumfoi në Korçë me rezultatin e thellë 1-5, ndërsa Kamza mundi në ‘Selman Stërmasi’ Partizanin me shifrat 0-1.

Pikërisht kjo ndeshje, e luajtur në kryeqytet duket se e ka bërë legjendën e futbollit shkodran, Edi Martinin që të urrejë klubin e kuq.

Këtë e dëshmon vetë Martini në rrjetin social ‘Facebook’ dhe menjëherë pas derbit, duke replikuar me një tifoz të Tiranës shkruante: “Ti e di që jam pro jush dhe kundër Partis Zanit. Rruga ime me Partizanin, është ndarë vjet pas ndeshjes Partizani-Kamza”.

Sikur të mos mjaftonin vetëm këto komente, Martini e ka treguar edhe sot dëshirën e tij për të parë Partizanin teksa humbet dhe këtë e ka bërë sërish nëpërmjet ‘Facebook’-ut. Në faqen zyrtare të Teutës, ai ka lënë një koment ku shkruhet: ‘Suksese! Me fitore sot ishalla’. Kujtojmë që sot në orën 17:00, Teuta pret në Durrës ekipin e Partizanit. /VipSport/