Pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve, atleti shkodran Franko Burraj nuk ia ka dalë të futet në zonën e medaljeve në Kampionatin Europian U23 që është duke u zhvilluar në Gavle të Suedisë.

Në garën finale të zhvilluar pasditen e sotme, sportisti i Vllaznisë nuk ka shfaqur një gjendje të mirë fizike dhe për rrjedhojë nuk ka shkuar dot më larg sesa vendi i pestë duke arritur kohën 46″79.

Siç shihet edhe nga kjo e fundit, ajo është më e keqe edhe se koha e arritur dje në gjysmëfinale dhe kjo padyshim që ka ardhur nga lodhja fizike që është konstatuar tek ai.

Duke folur për “Shkodra Sport” menjëherë pas garës trajneri i tij Bruno Rrotani është shprehur: “Në pamje të parë nuk është vend i mirë por të jesh i 5-ti në Europë besoj se është një sukses për një sportist shqiptar sepse ka garuar me 32 konkurrentë nga mbarë kontinenti.

Në garën e sotme besoj se u shfaqën shenja lodhje. Franko nuk është mësuar të zhvillojë tre gara në tre ditë rresht dhe kjo është një e metë shumë e madhe për ne, në raport me rivalët tanë të Europës, megjithatë e përsëris, të renditesh i 5-ti në kontinent besoj se është një arritje për t’u vlerësuar”.
© shkodrasport.com