Sot ka bërë sërish “detyrën”. Ka thyer rekordin dhe për më tepër, ka marrë edhe medaljen e bronztë në garën e Kampionatit Europian që u zhvillua sot pasdite në Stamboll të Turqisë.

Franko Burraj ka arritur rezultatin fantastik 47″64 në garën e 400 metrave, rezultat ky i arritur në Serinë B, rezultat ky që përbën rekord të ri kombëtar në këtë disiplinë.

Një rekord i ri i vendosur me 58 të qindtat më mirë se rekordi i mëparshmi që ai vetë pat vendosur një muaj më parë në Lojërat Mesdhetare U23 që u zhvilluan në Marsejë të Francës.

Në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport”, Burraj pas thyerjes së rekordit dhe marrjes së medaljes të bronzit do të shprehej: “Rekordin e sotëm dhe medaljen që fitova ia dedikoj Vllaznisë, pikërisht me rastin e 100 vjetorit të krijimit të saj”.

Një dedikim i veçantë sepse Frankoja bashkë me trajnerin e tij Bruno Rrotani ndjehen krenar që janë pjesë e këtij klubi 100 vjeçar dhe me histori të madhe. Dhe në fakt historia vazhdon të shkruhet edhe prej kësaj dysheje që po i dhuron Shkodrës dhe Shqipërisë rekorde dhe medalje të reja.
© shkodrasport.com