Rekord i ri kombëtar në 200 metra, përmirësim rekordi në 400 metra, medalje e artë në Kampionatin Europian të shteteve të vogla, janë vetëm disa prej sukseseve që Franko Burraj ka arritur gjatë vitit 2019. Rezultate këto që e bëjnë atë sportistin më të mirë të Klubit Vllaznia për këtë vit dhe ndonëse nuk ka marrë ndonjë vlerësim apo shpërblim për gjithë këto arritje, ai duket se ndjehet mirë për atë çfarë ka bërë sëbashku me trajnerin e tij Bruno Rrotani.

Këtë gjë e ka shprehur edhe në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport” kur është shprehur: “Besoj se po mbyll një vit shumë të mirë, me rezultate shumë të suksesshme, me paraqitje të mira edhe në garat ndërkombëtare që kam zhvilluar në Suedi, Maqedoni e po ashtu edhe me rekorde të reja.

Fakti që arrita të thyej sërish rekord edhe në garën e 200 metrave, përmirësova atë të 400 metrave, tregon se ka qenë një vit shumë i mbarë.

Kemi punuar shumë sëbashku me trajnerin tim Bruno Rrotani, ndonëse edhe koha nuk na ka favorizuar shumë sidomos gjatë periudhës së ftohtë sepse nuk kemi kushte për stërvitje, megjithatë sërish ia kemi dalë të thyejmë rekorde dhe njëkohësisht të marrim edhe medalje të arta në garat jashtë vendit”.

Ndërkohë i pyetur në lidhje me objektivat për vitin e ardhshëm, Burraj shton: “Jam rekordemi i 200 dhe 400 metrave, megjithatë kjo nuk më pengon për të vijuar punën, madje më motivon edhe më shumë për t’i çuar më përpara këto rezultate. Gjatë vitit 2020 kemi shumë objektiva, kemi shumë gara ku do të marrim pjesë dhe shpresoj të bëjmë më të mirën me rezultate dhe medalje të reja”.

Në fakt, ndonëse janë ditët e fundit të vitit dhe kudo ka atmosferë feste, dyshja Burraj- Rrotani vijon stërvitjen sepse nuk kanë kohë për të humbur. Në janar do të jenë garat e para dhe padyshim që ata do të tentojnë ta nisin mbarë, me objektiva të tjera për të patur të tjera arritje.
www.shkodrasport.com