Telashet financiare të Interit duket se kanë gjetur zgjidhje. Suning ka gjetur një aksioner minorance dhe ka shitur një pjesë të aksioneve të klubit, duke garantuar pak frymëmarrje financiare për klubin i cili në muajt e fundit kishte vështirësi edhe të paguante rrogat.

Prej muajsh, Suning ka qenë në kërkim të një partneri për të ndarë shpenzimet gjithnjë e më në rritje të zikaltërit, apo edhe një blerës të mundshëm të klubit. Por më në fund është zgjedhur varianti i parë dhe sot është bërë e ditur se është gjetur një akord me fondin “Oaktree Capital”, i cili ka blerë 31% të aksioneve të klubit duke paguar shifrën 275 milionë euro.

Fondi amerikan do të derdhë shuma të konsiderueshme në arkat e zikaltërve, për të përmirësuar gjendjen financiare të tij aq sa pas arritjes së akordit, vetë Suning bëri të ditur se kjo marrëveshje do t’i mundësonte të vazhdonte të mbështeste financiarisht klubin.

Fondi në fjalë është ndër më të njohurit në botë dhe menaxhon aktualisht pasuri prej rreth 122 miliardë euro në të gjithë botën, ndërsa është një nga kompanitë e kuotuara në bursën e Nju Jorkut. /vipsport/