Të hënën më 31 gusht, PSG konfirmoi se Anhel Di Maria dhe Leandro Paredes rezultuan pozitivë për koronavirus dhe aktualisht janë të izoluar. Të dy lojtarët kishin shkuar me pushime në ishullin spanjoll Ibiza, pas humbjes së PSG ndaj Bajern Mynih në finalen e Champions League.

Problemi është se të dy lojtarët që dolën pozitivë nuk udhëtuan vetëm. Di Maria dhe Paredes ishin duke pushuar me Ander Herreran, Mauro Ikardin, Keilor Navas dhe Nejmar. Deri tani PSG shqetësohet se më shumë lojtarë mund të jenë pozitivë për Covid-19.

Sipas “ESPN”, lojtari tjetër që ka më shumë gjasa të dalë pozitiv për koronavirus është sulmuesi Mauro Ikardi, por PSG nuk e ka konfirmuar lajmin. Aktualisht klubi po pret të marrë përgjigjet për testet nga të gjithë lojtarët që udhëtuan në Spanjë përpara fillimit të sezonit të ri.

PSG mund të shtyjë ndeshjen e saj kundër Lens të planifikuar më 10 shtator nëse konfirmohen më shumë raste sepse Federatat e Francës ka krijuar një ligj që përcakton se nëse një ekip ka më shumë se katër lojtarë me koronavirus, duhet të pezullohet ndeshja e tyre. /vipsport/