Kërkesa e Ministisë së Shëndetësisë drejtuar FSHF-së për të ndërtuar një grup pune te përbashkët për të analizuar protokollin për kthimin e sigurt në fushën e lojës të futbollistëve ka marrë shpejt përgjigje nga institucioni i futbollit.

Brenda ditës së sotme, FSHF i ka dërguar institucionit shtetëror emrat që do ta përfaqësojnë në këtë grup pune me qëllimin për të krijuar një protokoll të mirëfilltë që të mos rrezikohet përhapja e virusit.

Në shkresë është vendosur i pari emri i Xhianluka Stesina, mjeku i përfaqësueses shqiptare të futbollit dhe njëkohësiht një nga punonjësit e J-Medical, qendrës shëndetësore të Juventusit. Stesina është njëkohësisht edhe përgjegjësi i Departamentit të Shëndetësisë që është krijuar pranë FSHF-së.

Më pas është ëmri i mjekut të skuadrës së Kukësit, Mel Ostreni, i cili është një specialist i njohur në vendin tonë sa i përket mjekësisë sportive, duke njohur mirë procedurat që duhen ndjekur në aktivitete të tilla. Emri i tretë është ai i mjekes imazheriste Arjana Sina.

Ndërkohë, bëhej e ditur se në këtë grup ekspertësh do të ishte i pranishëm edhe Sekretari i FSHF-së, Ilir Shulku “për të garantuar disponibilitetin e administratës së FSHF”, sipas shpjegimit zyrtar të institucionit. /vipsport/