Seria A do të rifillojë mes shumë pasigurish, pasi me kryerjen e testeve për COVID-19, po kuptohet se virusi është përhapur mes skuadrave të futbollit dhe është e vështirë të çrrënjoset, sidomos për faktin se bëhet fjalë pas asimptomatikë që është e vështirë të dallohen.

Dje, Torino bëri të ditur se kishte një lojtar pozitiv. Ndërsa sot, Fiorentina e cila kishte disa futbollistë edhe muajin e kaluar, raportoi se në teste kanë rezultuar 6 të tjerë mbartës të virusit të rrezikshëm.

“Në vijim të kontrolleve të laboratorit të zhvilluar pasditen e djeshme, Fiorentina komunikon se janë identifikuar 3 sportistë dhe 3 pjesëtarë stafi tekniko-sanitar pozitivë ndaj COVID-19. Klubi ka ndjekur protokollin dhe ka kryer izolimin e personave të përfshirë.

Nesër në mëngjes janë parashikuar testet për pjesën tjetër të grupit për të mundësuar fillimin vullnetar të stërvitjes në fushë”, shkruhej në njoftimin e klubit italian.

Sipas mediave italiane, të 6 personat e përfshirë te Fiorentina janë asimptomatikë dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Në muajin mars, sapo shpërtheu pandemia në Itali, në radhët e Fiorentinës rezultuan pozitivë disa persona mes të cilëve Vlahoviç, Pecella dhe Kutrone. /vipsport/