Federata Shqiptare e Futbollit pritet të shpërblejë klubet shqiptare që luajnë në Superiore, dhe jo vetëm, me nga tri fusha: një me përmasa standarde dhe dy më të vogla.

“Panorama Sport” zbulon se institucioni i futbollit, në kuadër të projektit të 100 fushave i kanë ofruar çdo skuadre në Superiore që t’u dhurojnë tri fusha.

Mjafton që klubet të ndërtojnë një kompleks dhe më pas FSHF do t’i kompletojë me fushat. Skuadra e parë që ka fituar është Partizani, ndërsa me radhë do të jenë Tirana, Teuta e Kukësi.

Gjithsesi, klubet si fillim duhet të gjejnë terrenin ku do të investohet kompleksi dhe më pas të japë OK-in për dhurimin e fushave.

Edhe pse është dhurim, nuk qartësohet nëse FSHF do të ketë pjesë apo pronësi në këto investime, ashtu siç ka bërë në stadiumet e Elbasanit, Shkodrës, Kukësit apo ndonjë impiant tjetër.

Disa klube, si Lushnja, kanë refuzuar dhuratën e federatës, sepse kjo e fundit kërkonte pronësi te komplekset që do të investoheshin.