Pas tre muajsh larg saj, futbollistët e të gjithë ekipeve të Vllaznisë, mund të rikthehen javën e ardhshme sërish në fushën sportive “Reshit Rusi”. Punimet në këtë impiant sportiv po shkojnë drejt fundit dhe gjithçka po shkon ashtu si duhet.
Në këtë fushë tashmë ka përfunduar procesi i vendosjes së tapetit të ri sintetik dhe ka mbetur vetëm hedhja e rërës dhe e gomës që shërben për ta ruajtur atë. Në pamjë të parë duket se kemi të bëjmë me punime cilësore, megjithatë do të jetë koha që do ta vërtetojë këtë gjë.
Ndeshja e fundit që është luajtur në këtë fushë ka qenë ajo Vllaznia- Laberia e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, pikërisht më 13 tetor. Që prej asaj dite, fusha nuk ka qenë në dispozicion as për stërvitje dhe as për ndeshje duke krijuar në fakt shumë vështirësi për të gjitha ekipet e klubit Vllaznia.
Ata janë detyruar të degdisen sa në njërën fushë në tjetrën për stërvitje dhe aq më keq për ndeshje, megjithatë këtyre vuajtje tashmë duket se u ka ardhur fundi. Trajneri i ekipit të parë Thomas Brdariç në çdo dalje të tij publike është ankuar për kushtet e stërvitjes në Shkodër dhe me përfundimin e kësaj fushe, ai nuk do të ketë nevojë të shkojë për stërvitje sa në Ulqin, sa në Durrës.
Fusha “Reshit Rusi” nga fundjavë tjetër pritet që të presë edhe ndeshjet zyrtare të ekipeve të moshave të Akademisë, por edhe të ekipit të femrave./SHKODRA-SPORT.COM/