Ish-presidenti i Vllaznisë Valter Fushaj ka ngritur zërin për mos njohjen e kontributeve për financimin e realizuar nga ana e Bashkisë së Shkodrës. Në një prononcim të tij për “Sport Ekspres”, Fushaj ka sqaruar situatën aspak të mirë dhe mënyrën se si po mbahet peng nga ana e drejtuesve të Bashkisë kërkesa e realizuar disa muaj më parë në mënyrë të qëllimshme. Siç dihet të gjithë donatorët e Vllaznisë në vite kanë përpiluar një kërkesë drejtuar Bashkisë për njohjen e kontributeve të tyre në aksione për skuadrën. “Dua të sqaroj opinionin publik por dhe t’ i bëj thirrje drejtuesve të Bashkisë që të mos qëndrojnë indiferentë me qëllim ndaj kërkesës që ne kemi bërë si ish-donatorë apo president të Vllaznisë për njohjen e kontributeve tona. Pavarësisht se kanë kaluar disa muaj nga kërkesa që kemi bërë ajo nuk është duke u hedhur në diskutim aspak në këshillin bashkiak. Ky veprim është duke u bërë me një qëllim jo të mirë dhe aspak të drejtë. Dua t’i kujtoj Bashkisë se Vllaznia nuk është e një personi të vetëm apo atyre që nuk kanë të bëjnë me Shkodrën. Vllaznia është e Shkodrës dhe e shkodranëve. Prandaj duhet patur parasysh që ky ekip duhet të jetë për Shkodrën dhe aksionet ti jepen vetëm shkodranëve e pikërisht atyre që kanë financuar për ketë skuadër prej shumë vitesh”, ka thënë fillimisht Fushaj. Arsyea pse ish-presidenti i shkodranëve ka kërkuar një vëmendje më të madhe në njohjen e kontributeve jo vetëm të financimeve të tij ka të bëjë me fakin se drejtuesit aktual kanë lënë çdo gjë në hije të plotë. Pavarësisht se është folë se veprimi për shitjen e aksioneve do të startonte që në janar, asnjë veprim nuk është ndërrmarrë. Aq më tepër që njohja e kontributeve të ish-donatorëve është një tjetër hallkë që duhet të plotësohet. “Ne si ish-donatorë nuk kemi kërkuar që kontributet tona të njohen 100% në vlerën që ne kemi financuar. Madje mund të them se ajo në raport 1/5 apo ¼ me atë që ne kemi financuar. Por kjo zvarritje është duke u bërë me qëllim të plotë dhe kjo nuk është aspak e drejtë për Vllazninë. Ne në kërkesen tonë kemi sqaruar që kontributet që do të njihen të përkthehen në aksione të skuadrës. Mos njohja e kontributeve tona është me një qëllim aspak të mirë që kanë ndërmend të realizojnë drejtuesit. Pastaj tek Vllaznia ka të drejtë të marrë pjesë çdo qytetar apo dhe biznesmen që do të blejë një vlerë të caktuar të aksioneve. Prandaj kjo skuadër i përket Shkodrës e shkodranëve dhe jo dikujt tjetër”.
President?
A do të kërkojë Fushaj që të bëhet sërish president i Vllaznisë? Kjo është një pyetje që shumë herë është realizuar duke parë dhe ecurinë e mirë të skuadrës. Por ish-presidenti ka dhënë versionin e tij përfundimtar. “Unë nuk kërkoj të bëhëm president i Vllaznisë dhe as që e dua. Unë kërkoj që të më njihet kontributi që kemi bërë që është në vlerat 1/5 apo ¼ në krahasim me investimin dhe të përkthehen aksione. Prandaj të gjithë të rrinë të qetë pasi kërkoj vetëm që investimi i im të njihet si kontribut që përkthehet më pas në aksione dhe të mos cenohet aspak ajo që ne kemi bërë ndër vite apo për të mos njohur asgjë nga financimet tona e për të ia dhënë dikujt tjetër”.
Vllaznia

Fushaj është ndalur dhe tek situate aktuale e skuadrës shkodrane. Ai ka qenë i pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi” ditën e ndeshjes me Flamurtarin dhe ka mbetur i zhgënjyer nga ajo Vllazni që ka patur apo që ka lënë verën e kaluar. “Më vjen shumë keq që e shoh Vllazninë në këtë gjendje. Unë prandaj kërkoj dhe do të ngre zërin gjithmonë për Vllazninë. Por ajo që unë pashë ndaj Flamurtarit nuk ishte ajo skuadër që kam lënë. Ka qenë një skuadër më e mirë dhe më cilësorë. Madje rezultati më i drejtë ka qenë barazimi në atë takim”, ka thënë fillimisht ai. Duke u ndalur më pas në detaje, Fushaj thekson se e ka ndjekur vazhdimisht skuadrën dhe gjendja në të cilën është skuadra ka ardhur si rezultat i mos eksperiencës së duhur në menaxhimin e mirë të skuadrës. “Vllaznia ka president të vetëquajtur dhe jo të zgjedhur. Që të jesh president duhet të zgjidhesh pasi ka një bord drejtues. Unë e kam ndjekur pothuajse në të gjitha ndeshjet Vllazninë në përjashtim të dy takimeve që kam qenë jashtë shtetit. Pavarësisht se nuk kam preferuar të shkoj në stadium e kam parë nga televizioni. Si rezultat i menaxhimit aspak të mirë dhe sidomos në merkaton e janarit skuadra është në gjendje të tillë. Mungesa e eksperiencës ka bërë që gjërat të rrjedhin për keq”. Ndër të tjera Fushaj shton: “Unë e kam lënë skuadrën me lojtarë cilësorë ne përbërje dhe nuk duhej të ishtë bërë gjithë ajo lëvizje në merkaton e janarit. Sigurisht që Sukaj e Vajushi duhej të ishin mbajtur dhe skuadra kishte nevojë për një mbrojtës dhe mesfushorë. Por mund të them se ky sezon në përgjithsësi ka patur një kampionat të dobët dhe aspak cilësorë”.

Akademia
Në fund Valter Fushaj ka ngritur zërin dhe për akademinë e Vllazninë. Ditën që ai ka dhënë dorëheqjen ka kërkuar me ngulm që drejtuesit e rinj të skuadrës të mos e prishin akademinë që ai prej shumë vitesh kishte vuajtur për ta ndërtuar. “Drejtuesit e Vllaznisë përveçse nuk po administrojnë mirë ekipin parë ato po ndikojnë për keq dhe tek akademia. Nuk është apsak në ato nivele që unë e kam lënë dhe në një organizim aspak të mirë. Pas 8 muajve drejtuesit sjellin një bazë material që për lojtarët e akademisë nuk është e përshatshme. Po të shikosh me vemendje një lojtar ka fanelë më të gjatë e tjetri më të shkurtër. Apo tek një çantë që është më e madhe se vetë lojtari. Po ashtu dhe organizimet e ndeshjeve po bëhën nga 4 apo 5 në një fushë gjë që më përpara nuk ka patur shans që të ndodhte. Prandaj e kam ngritur zërin dhe do të vazhdoj të kërkoj që Vllaznia të administrohet mirë e aq më tepër Akademia që ka qenë dhe krenaria e jonë”, ka përfunduar ish-presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj.

ANTON ZALLI