Në prag të startit të fazës së dytë, Vllaznia është duke u përgatitur për ndeshjen që do të luajë të shtunën kundër Erzenin në stadiumin “Loro Boriçi”. Në javën e parë të këtij kampionati, shkodranët pësuan një humbje minimale 1-0 ndaj shijakasve, ndërsa këtë herë do të kërkojnë rezultat pozitiv.

Në katër javët e fundit, skuadra e Josës ka marrë pesë pikë, pikërisht ndaj Teutës në Durrës, Laçit në transfertë dhe Bylisit në “Loro Boriçi”. Ndërkohë, trajneri Josa dhe stafi i tij kanë zhvilluar një analizë për ndeshjen e fundit në Shkodër ndaj ballshiotëve, teksa tekniku kryeqytetas ka kërkuar nga futbollistët që të jenë më të qetë përpara portës kundërshtare.

Shkodranët shpresojnë se do të vazhdojnë me rezultatet pozitive të shtunën, në një kohë që shkojnë më të plotë se kurrë në këto takimet e fundit.

Nga ana e stafit konfirmohet se nuk ka probleme dëmtimesh, me përjashtim të Liridon Latifit që vijon i diferencuar, ndërsa pritet vetëm rikthimi nga Kombëtarja i kapitenit Erdenis Gurishta, mbrojtësit tjetër Esin Hakaj, por edhe mesfushorit kosovar Esat Mala.
Maringlen ZHIVANI