Shkruar nga Endri ÇINARI
Pavarësisht një vere të mbushur me problematika, vonesa në merkato dhe paqartësi të shumta me federimin e futbollistëve të afruar, Vllaznia e nisi sezonin e ri zyrtar me një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Malishevës në turin e parë të UEFA Conference League. Përtej rezultatit pozitiv dhe përmbysjes në “Loro Boriçi”, një nga aspektet që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte besimi që trajneri Edi Martini vendosi te futbollistët e rinj, duke u dhënë atyre hapësirë në një ndeshje me peshë europiane.
I pari që mori besimin e stafit teknik ishte Aris Ara. Sulmuesi i ri u aktivizua si titullar në anësoren e sulmit, duke fituar duelin për një fanellë nga minuta e parë në një moment kur alternativat e repartit ofensiv ishin të kufizuara. Edhe pse nuk ishte një sfidë e lehtë për të, aktivizimi i tij tregoi qartë se Martini është i gatshëm t’u japë përgjegjësi elementëve të akademisë edhe në ndeshje të nivelit europian.
Në pjesën e dytë, Arën e zëvendësoi “kokë më kokë” një tjetër produkt i Vllaznisë, Gerald Kubazi. Edhe ai mori minutat e tij në një moment delikat të takimit, duke fituar eksperiencë të çmuar në debutimin sezonal të kuqebluve. Aktivizimi i dy sulmuesve të rinj në të njëjtin takim ishte një sinjal i qartë se klubi po kërkon të ndërtojë jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen.
Në minutat e fundit, Martini u dha mundësinë të shkelin fushën edhe dy të rinjve të tjerë, Sokol Uldedaj dhe Klajti Halili. Edhe pse koha në dispozicion ishte e kufizuar, prania e tyre në një ndeshje zyrtare të Conference League përbën një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tyre drejt ekipit të parë. Në një periudhë kur Vllaznia është përballur me vështirësi në ndërtimin e organikës, trajneri ka zgjedhur të mbështetet edhe te forcat e brendshme, duke u dhënë mundësinë talenteve të akademisë.
Në fund, përtej fitores ndaj Malishevës, një nga fitoret e tjera të mbrëmjes ishte pikërisht debutimi dhe besimi ndaj brezit të ri. Rrethanat mund ta kenë detyruar pjesërisht stafin teknik të aktivizojë këta futbollistë, por ata e shpërblyen këtë besim me seriozitet dhe angazhim. Këto ishin sinjale pozitive për Vllazninë, e cila duket se do të vazhdojë t’u japë minuta të rinjve gjatë sezonit, me shpresën që disa prej tyre të kthehen në protagonistë të skuadrës kuqeblu në muajt në vijim.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


