Fushata elektorale e presidentit të Kukësit, Safet Gjici, duket se e ka bërë këtë të fundit që të mos i kushtojë vëmendjen maksimale skuadrës, pasi edhe afrimet për në Kupat e Europës nuk kanë qenë të shumta.
Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, në një prononcim të dhënë për faqne e klubit është shprehur se janë duke u përgatitur mirë për ndeshjen ndaj Debreçenit.
Tekniku ka një problem dhe ai është fakti se nuk ka shumë lojtarë në dispozicion, vetëm 16, por si duket e ka kuptuar që tashmë nuk ka më mundësi për të sjellë lojtarë të tjerë për në Kupat e Europës. Gjoka, u shpreh se do e menaxhojë situatën me grupin që ka në dispozicion.
“Kemi bërë disa ditë të mira këtu. Besoj se skuadra e kishte shumë të nevojshme të vinte në Ohër, sepse, ishte problemi i ngarkesave fizike të larta. Kemi vrapuar shumë, kemi punuar shumë dhe në këtë rast për të falenderuar skuadrën, për gatishmërinë dhe për atë që dhanë gjatë gjithë kohës.
Fati i madh është që nuk kemi pasur asnjë dëmtim për grupin që kemi. Nuk kemi akoma shumë lojtarë. Tani kemi 16 lojtarë dhe nga këta lojtarë na duhen përsëri për të marrë pjesë në Europa League, lojtarë cilësorë.
Po tashmë, mesa shikoj dhe mesa kuptoj, nuk mundemi dot më. Ne do bazohemi tek ky grup. Ndeshja me Debreçenin është një ndeshje shumë e vështirë, është një ndeshje me një nga ekipet më të mira të kampionatit hungarez. Ne jemi munduar që gjatë kësaj kohe ta studiojmë mirë me anë të video-analizave tona.
Ne e njohim shumë mirë kundërshtarin, njohim lojtarët kyç të atij, njohim cilësinë që kanë ata, njohim anën e mirë dhe disa të këqia që ka skuadra. Gjithsesi, ne do mundohemi që me grupin që kemi të bëjmë më të mirën e mundshme, për ta kthyer një gjë të pamundur, në të mundur, për të kaluar drejt një suksesi”, është shprehur trajneri Ernest Gjoka./newsport/