Kampionati kombëtar i futbollit të femrave ka zhvilluar të shtunën dhe të dielën ndeshjet e javës së nëntë. Një javë dha sinjale të rëndësishme, duke nisur që nga marrja e kreut nga Vllaznia për të vijuar me ndeshjen Lushnja-Apolonia, e cila zgjati vetëm një pjesë loje, pasi skuadra vendëse mbeti me 6 lojtare në fushë për shkak të katër dëmtimeve dhe një kartoni të kuq.

TIRANA-VLLAZNIA – Ka marrë fund këtu kryesimi i Tiranës në kampionat, teksa vajzat bardheblu i lëshojnë tashmë fronin Vllaznisë. Kampionet në fuqi treguan të gjithë forcën e tyre në kryeqytet duke e dominuar totalisht takimin, për ta fituar atë me rezultatin e thellë 0-8. Një ndeshje pa shumë histori në të cilën Vllaznia bëri çfarë deshi në fushë. Festivalin e golave e hapi Berisha që në start, duke e tundur rrjetën në minutën e 2-të.

Më tej Lufo në të 13-ën i dyfishoi shifrat, e më pas Gjini në të 17-ën realizoi golin e tretë. Më pas kishim shou nga Megi Doçi, e cila në 13 minuta trondit me 3 gola, njëri më i bukur se tjetri. Në të 46-ën, një autogol nga Kotarja e dërgon rezultatin në 0-7, ndërsa në të 48-ën, Lufo kompleton dopietën personale duke vulosur suksesin e vajzave kuqeblu. Vllaznia më pas bën zbritje “marshi” dhe u ul disi ritmin, me rezultatin që nuk ndryshon më.

LUSHNJA-APOLONIA – Për të dytin vit radhazi derbi i Myzeqesë mbyllet para kohe. Ndeshja zgjati vetëm një pjesë, pasi në pjesën e dytë Lushnja zbriti në fushë me 6 futbolliste. Trajneri Hekuran Korreshi kreu 5 zëvendësime, që në 14 minutat e para të lojës. Më pas largon dy lojtare të dëmtuara, ndërsa një tjetër del me karton të kuq.

Në pushim dy lojtare e kanë të pamundur dhe zbret me gjashtë. Në këto kushte gjyqtarja kryesore Disela Lekgegaj ndërpret takimin, ndërsa fraksioni i parë ishte mbyllur 0-7 për Apoloninë. Ndërkohë, në faqen e FSHF-së, rezultati pasqyrohet 0-7, por në klasifikim Apolonisë nuk i janë shtuar pikët, që do ta dërgonin në kuotë të njëjtë (21) me Vllazninë.

NDESHJET E TJERA – Ndërkohë, në sfidat e tjera spikati fitorja e thellë 5-0 e Partizanit kundër skuadrës Tirana AS. Murlani fitoi në transfertë 1-4 ndaj Skënderbeut, ndërsa Atletik mundi Teutën në Durrës me rezultatin 2-3.