Nga Maringlen Zhivani
Vllaznia U-15 është mposhtur nga Shënkolli me rezultatin minimal 0-1 në ndeshjen e zhvilluar këtë të shtunë. Për të vendosur drejtësi në këtë takim ishte caktuar gjyqtari shkodran Indrit Myrtja, por paraqitja e tij në këtë sfidë ka lënë shumë për të dëshiruar, duke dëmtuar ndjeshëm ekipin kuqeblu dhe duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në rezultatin final.
Momenti më i diskutueshëm i ndeshjes ndodhi në minutën e 17-të. Një futbollist i Shënkollit pengohet dukshëm jashtë zonës së rreptësisë nga një lojtar i Vllaznisë, por gjyqtari kryesor, i pozicionuar shumë pranë aksionit, habiti të pranishmit duke akorduar penallti për ekipin mik. Një vendim ky që mund të konsiderohet si një gafë e rëndë nga ana e arbitrit shkodran.
Megjithatë, ky nuk ishte rasti i vetëm i diskutueshëm gjatë takimit. Pak minuta më vonë, një ndërhyrje e ashpër ndaj një futbollisti të Vllaznisë u tolerua nga Myrtja, ndonëse situata mund të ndëshkohej edhe me karton të kuq.
Këto vendime treguan një nivel të dobët gjykimi nga ana e arbitrit shkodran, i cili në shumë momente u bë protagonist negativ në këtë përballje në dëm të ekipit të Vllaznia U-15.


