Një karrierë shumë e suksesshme si futbollist, Safet Osja rikthet ta provojë edhe si trajner tek Vllaznia. Nga dita e sotme është rikthyer sërish zyrtarisht tek Vllaznia, tashmë në postin e zëvendëstrajnerit. Safet Osja ka një karrierë shumë të suksesshme si futbollist dhe shpreson që ta ketë të tillë edje si trajner.

Emërimi i tij në stolin kuqeblu është pritur mjaft mirë nga tifozët shkodranë sepse e cilësojnë mbi të gjitha një djalë të përkryer që e meriton këtë gjë. Në komentet e tyre, shumica janë të mendimit se një emërim i tillë, “i bën nder” pankinës së Vllaznisë.

Një vlerësim i tillë vjen pikërisht nga ajo çfarë ka dhuruar në fushën e lojës dhe jashtë saj, për shumë vite me rradhë që ka qenë pjesë e kësaj skuadre. Dhe jo vetëm e saj. Të njëjtat përshtypje ka lënë edhe në Elbasan ku ka luajtur për dy sezone dhe ku është shpallur kampion edhe me të.

Me Vllazninë ka luajtur 12 sezone të plota, ka zhvilluar 275 ndeshje dhe ka shënuar 10 gola. Ka luajtur në rolin e mbrojtësit apo dhe mesfushorit të djathtë dhe është shquar për grintën dhe karakterin që ka shfaqur gjithnjë në fushën e lojës.

Pas lënies së futbollit, ka punuar për pak muaj si zëvendëstrajner tek ekipi shkodran në sezonin 2012-13 kur ai drejtohej nga Artan Bushati. Tashmë rikthehet në këtë post sërish dhe të gjithë janë të mendimit se do të japë më të mirën e mundshme për ta ngjitur këtë emër përsëri në Superligë, aty ku i takon të jetë.

Karriera e Safet Osjes me Vllazninë:

1996-1997 17 ndeshje –
1997-1998 15 ndeshje – 3 gola
1998-1999 10 ndeshje –
1999-2000 25 ndeshje – 1 gol
2000-2001 24 ndeshje –
2001-2002 19 ndeshje –
2002-2003 20 ndeshje – 1 gol
2003-2004 36 ndeshje – 1 gol
2006-2007 32 ndeshje – 1 gol
2007-2008 29 ndeshje – 1 gol
2008-2009 31 ndeshje – 1 gol
2009-2010 19 ndeshje – 1 gol
———— ——–
Totali 275 ndeshje – 10 gola