Në Spanjë i kanë ngjitur nofkën “galaktikja e parë”, pasi Kosovare Asllani ishte futbollistja e parë e njohur që iu bashkua projektit të Real Madrid për të ndërtuar një ekip femrash.
Madrilenët blenë klubin Takon dhe që nga sezoni i ardhshëm do t’i vendosin emrin e tyre, ndërsa lëvizja e parë në merkato ishte pikërisht afrimi i sulmueses që përfaqëson Suedinë në arenën ndërkombëtare.
Dhe ashtu siç i ka hije atyre që bëhen pjesë e Real Madrid, futbollistja tregon se pret me padurim gëzimin e parë me fanellën e Real Madrid, duke premtuar sukses ndaj rivalëve të përjetshëm të Barcelonës.
“Nuk ka ekip tjetër në botë ndaj të cilit dua të fitoj më shumë se sa ndaj Barcelonës. E ndjej që tani këtë rivalitet, por do të jetë më shumë në vitin e ardhshëm, kur të veshim fanellat e Real Madrid”, tha futbollistja në një intervistë për “The Telegraph”, ku zbuloi se kishte refuzuar mundësi më të mira për të qenë pjesë e këtij projekti.
“Me shumë mundësi do të kisha luajtur në Ligën e Kampioneve, mund të kisha luftuar për trofe, por kjo ishte një mundësi unike për të ndërtuar nga zero një nga shtyllat e atij i cili me siguri do të bëhet një ekip i suksesshëm”, tha ajo.
Ndërkohë, Asllani e ka provuar me Takon shijen e një humbje përballë Barcelonës, e cila i mundi 9-1 në këtë kampionat. “Nuk është e drejtë të krahasoni një ekip si Barcelona me një skuadër si e jona e krijuar një muaj para asaj ndeshje. Nuk e cilësoj atë një ‘El Clasico’. Ashtu do të jetë ai i vitit të ardhshëm”, tha futbollistja. /vipsport/