Afron fundi i vitit dhe si zakonisht, portali i njohur për vlerësimin e kartonëve të futbollistëve, “transfermarkt”, ka përditësuar të dhënat rreth shumë prej futbollistëve shqiptarë. Viti 2020 do të fillojë me një emër të ri në krye të listës, duke ulur nga froni Elseid Hysajn pas 4 vitesh dominim.

Thomas Strakosha, falë paraqitjeve të tij me Lacion ka parë t’i rritet vlera e kartonit në 25 milionë euro, duke qenë tashmë lojtari shqiptar më i vlerësuar nga portali i njohur ndërkombëtar.

Hysaj zbret në vendin e dytë, me vlerën e tij që ka shkuar tashmë në 16 milionë euro, pasi ka humbur ndjeshëm terren si pasojë e mosaktivizimit të rregullt.

Ndërkohë, pas tij vijnë në kuotën e 10 milionë eurove Berat Gjimshiti dhe Marash Kumbulla, me këtë të fundit që ka kapur shifra të pabesueshme brenda pak muajsh mes profesionistëve. Etrit Berisha dhe Emanuele Ndoj, dy futbollistë të tjerë të Serisë A, vijojnë me vlerësimin e tyre prej 3 milionë eurosh.

Vendi i 7 i përket Taulant Xhakës me 2,5 milionë euro, i ndjekur nga Amir Abrashi me 2 milionë euro, Eros Grezda me 1,35 milionë euro dhe Bekim Balaj me 1,3 milionë euro që plotësojnë 10-shen e futbollistëve shqiptarë me kartonin më të vlefshëm sipas “transfermarkt”.

Në total janë 16 futbollistë shqiptarë të cilët vlerësohen me të paktën 1 milion euro nga portali i njehur. /vipsport/