Uellsi me sa duket do të udhëtojë drejt Shqipërisë për miqësoren e të martës ndaj kuqezinjve pa pasur në përbërjen e vet Garet Bejl.
Edhe pse futbollisti është grumbulluar nga kombëtarja e drejtuar nga Rajan Gigs, ai pritet të marrë pjesë vetëm në ndeshjen zyrtare, atë ndaj Danimarkës, për t’u kthyer më pas të Real Madrid dhe jo për të udhëtuar drejt vendit tonë për sfidën në “Elbasan Arena”.
Kjo nuk ka të bëjë me një tekë të lojtarit, por me dëmtimin që ka pësuar ndaj Selta Vigos në pjesën e parë të ndeshjes, kur mori një goditje në kaviljen e djathtë.
Ai luajti pjesën e dytë të ndeshjes me qetësues dhe pastaj udhëtoi drejt Uellsit për t’iu bashkuar përfaqësueses.
Por këto dy ditë, ai është stërvitur veçmas me fizioterapistët e ekipit kombëtar të cilët po bëjnë të pamundurën ta riaftësojnë për sfidën ndaj Danimarkës që luhet të premten në darkë.
Një fitore ndaj danezëve është ajo që i nevojitet Uellsit për të siguruar vendin e parë në grupin e vet, ndaj Bejl po bën maksimumin që të jetë në fushë.
Por edhe në rast të një rezultati tjetër, nga Spanja bëjnë të ditur se futbollisti nuk do të sforcohet për të luajtur miqësoren në vendin tonë.
Real Madrid komunikon prej kohësh me stafin e Uellsit dhe në raste të ngjashme, kur Bejl ka shfaqur probleme fizike, ai ka qëndruar gjithmonë pa luajtur, pasi në stafin e kombëtares janë të ndërgjegjshëm se duhet të evitojnë zgjatjes e problemeve fizike të lojtarit që luan në një klub shumë të njohur, sidomos kur bëhet fjalë për ndeshje pa rëndësi sportive.
Kjo, pas kërkesave që madrilenët ua kanë bërë vazhdimisht të ditur përfaqësuesve të lojtarit që kur ai u transferua në Spanjë.
Bejl u grumbullua me kombëtaren në tetor, por nuk luajti as ndeshjen zyrtare ndaj Irlandës e as miqësoren ndaj Spanjës pikërisht se vuante problemet e një dëmtimi. /vipsport/