Ende pa u mbyll viti dhe pa u hapur merkatoja, tek Vllaznia kanë filluar të bëhen realitet largimet e para të lojtarëve. Dhe në fakt nuk janë pak. Sot ka dalë në skenë dhe duket thuajse i larguar edhe mbrojtësi Enes Isufi.
Ka qenë vetë trajneri Brdariç i cili sot gjatë konferencës për shtyp ka bërë të ditur se përpos Lekajt që do të shkojë për të luajtur në Kosovë, do të jetë edhe Isufi që ka kërkuar të largohet, por pa e ditur destinacionin e tij të ardhshëm.
Drejtuesit e klubit ua kanë bërë të ditur të gjithë lojtarëve se kush ka pakënaqësi mund të largohet dhe si rrjedhojë, ato tashmë kanë dalë në skenë dhe po bëhen realitet.
Mbrojtësi shtatëlartë Enes Isufi nuk ka qenë hapësira aktivizimi në formacion në 11 ndeshjet e deritanishme dhe duke qenë se ka patur pretendime për të luajtur, do të shohë mesa duket ndonjë mundësi në ndonjë ekip tjetër që mund t’i garantojë më shumë minuta.
20 vjeçari vitin e kaluar ka qenë titullar me Luftëtarin në Superligë dhe priste që tek Vllaznia të kishte më shumë hapësirë, por kjo nuk ka ndodhur dhe ai tashmë është shumë pranë largimit.
Kujtojmë që përpara tij, “divorcin” me Vllazninë e kanë bërë edhe Eugeniu Sidorenco, Christopher Mandiangu dhe Elmir Lekaj./SHKODRA-SPORT.COM/