Kur e gjithë vëmendja në Shkodër së fundmi është kthyer nga Vllaznia e futbollit, duket sikur ditëve të lavdishme të Vllaznisë së basketbollit i ka ardhur fundi për momentin. Jo të pakta ishin fitoret që arriti Vllaznia e basketbollit gjatë sezonit 2019-2020 dhe një nga më të spikaturit ishte Dod Lekndreaj.

Doda po këtë vit zgjati kontratën njëvjeçare me Vllazninë, si një lojtar kryesor i ekipit dhe një zëvendëskapiten i tij. Prej shume muajsh ndërkohë ai ndodhet në Kanada duket sikur edhe për këtë vit nuk do ta kemi pjesë të Vllaznisë. Ne nje intervistë të shkurtër për “Shkodra Sport” ai ka folur edhe për të ardhmen e tij:

-Dodë përshëndetje dhe uroj që viti 2020 të ketë qenë një vit i mbarë për ju…

Përshëndetje. Shpresoj që edhe për ju të ketë qenë një vit i mirë pavarësisht situatës.

-Po bëhet një kohë relativisht e gjatë që jeni jashtë fushës. A ju mungon ajo dhe a keni plane për t’u kthyer, ndoshta me një kontratë të re me Vllazninë?

Në fakt me këtë situatë, është bërë një kohë e gjatë për të gjithë, sidomos këtu në Kanada që janë të mbyllura të gjitha sportet. Sigurisht që më mungon fusha shumë. Një rikthim tek Vllaznia? Mesa jam informuar, për momentin edhe atje janë gjërat e mbyllura, por dëshira ime nëse një ditë do rikthehem, është që të jem në ekip bashkë me vëllain tim, Danielin.


-Si ju është dukur skuadra dhe menaxhimi gjatë kohës kur ju ishit i pranishëm dhe a do donit të bëheshin ndryshime?

Gjatë kohës që unë isha aty, menaxhimi linte pak për të dëshiruar. Në fazën e dytë në fakt, ishte një ekip shumë i bukur me marrjen e trajnerit të ri Darko Vujaçiç dhe gjithçka funkionoi në mënyrën e duhur. Më vjen keq që kampionati u anullua, pasi ishte një Vllazni shumë e bukur.

-Çfarë të rejash presim nga ti?

Çfarë të rejash? Nv fakt duhet të presim që të kalojë kjo situatë, sepse duket sikur gjërat janë ngrirë paksa. Shpresoj të jem aktiv përsëri me sportin.

-Meqenëse jemi në atmosferë festash, një urim nga ana jote?

Ju uroj të gjithëve Gëzuar festat dhe shpresoj që të jeni të gjithë mirë. Uroj të gëzojmë të gjithë sëbashku dhe t’i kthehemi sa më shpejt normalitetit.
Intervistoi: Manuela Xhaferi