Ekipi shkodran nuk po gjen dot rehati sa i takon stërvitjes së tij. Prania e borës kudo nëpër ambjentet sportive të qytetit të Shkodrës, ia ka bërë të pamundur stërvitjen në kushte normale Vllaznisë. Për këtë arsye, stafi drejtues i saj sërish edhe sot ka zgjedhur të dalë jashtë qytetit për t’u stërvitur. Pikërisht për këtë, pasi nuk ka mundur dot të stërvitet as në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe as në stadiumin “Loro Boriçi”, trajneri Rudi Vata e ka dërguar ekipin në Berdicë, një fshat 7 km larg qytetit të Shkodrës. Atje ekziston një fushë jo shumë e mirë për nga cilësia por të paktën e pambuluar nga bora. Në kushte të tilla, kuqeblutë kanë zhvilluar aty seancën e rradhës. Por nëse sot kjo gjë është kryer, halli është për nesër se ku do stërvitet ekipi. Ndoshta ai sërish do udhëtojë drejt Berdicës, ndoshta reshjet e shiut që kanë filluar mund ta shkrijnë borën dhe kuqeblutë do stërviten në fushën “Reshit Rusi”. Megjithatë ky mbetet një problem jo i vogël që kërkon zgjidhje sepse Vllaznia ndodhet para një ndeshje shumë të rëndëishme siç është ajo e së enjtes me Skënderbeun në Shkodër, e vlefshme për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë.

www.shkodrasport.com