Sot në mesditë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës është luajtur ndeshja e javës së 5-të e kampionatit kombëtar të basketbollit për të rinj në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Pogradecit. Shkodranët e trajnerit Roland Koka vinin pas dy humbjeve në ndeshjet e fundit me dy prej rivalëve të tyre, Virtus Tirana dhe Superior Klima dhe sigurisht që do kërkonin me insistim fitoren, që në fakt e arritën pa u djersitur shumë. Rezultati përfundimtar i këtij takimi ka qenë 61-45 për Vllazninë. Pra një fitore me 16 pikë diferencë, fitore e cila e ngjit këtë skuadër në kuotën e 8 pikë pas 5 javëve kampionat. Ajo ka sigluar 3 fitore dhe 2 humbje megjithatë mbetet një nga më të mirat e këtij kampionati. Për kampionen në fuqi të vendit, problem vazhdon të mbetet mungesa e kushteve të mira për stërvitje teksa ky ekip ende nuk ka një terren të përshtatshëm për të zhvilluar programin stërvitor. Trajneri Roland Koka e ka ngritur herëpashere këtë shqetësim por ende nuk ka gjetur një zgjidhje.

www.shkodrasport.com