Me 11 dhjetor 2014, do të ndahej nga jeta në moshën 38-vjeçare gazetari sportiv shkodran, Mejdan Zhivani. Pas një sëmundjeje të pashërueshme me të cilën kishte muaj e muaj që luftonte, në orët e para të atij mëngjesi të së mërkurës, ai do të ndërronte jetë në kryeqytet.

Ky lajm shokoi gjithkënd: miqtë, kolegët dhe njerëzit e sportit, të cilët kishin jetuar dhe bashkëpunuar me të prej 14 vitesh. Kontributi i tij në gazetarinë sportive gjatë këtyre viteve ishte mjaft i madh.

Në këtë përvjetor, janë të shumtë miqtë dhe kolegët që e kujtojnë. Defrim Methasani, gazetari i njohur dhe mik i afërt i Mejdanit, e kujton sot me një shënim në Facebook:

“11 dhjetori është një ditë e ftohtë dhe e trishtë në kujtesën time, sepse gjashtë vjet më parë, humba një mik të shtrejtë, Mejdan Zhivanin. Shkoj shpesh në Shkodër dhe përkëdhel në qytetin pa jetë, portretin e tij të qeshur edhe në vdekje, ashtu siç ishte ai, djali i mirë i Zhivanajve dhe një krahine të njohur e me emër në shqiptari, Nikaj Merturi.

20 vite më parë u njohëm me një letër që ai solli në redaksinë e sportit në rtsh, por kjo ishte shtysa që Mejdani të realizonte ëndërrën dhe pasionin e tij të gazetarit sportiv dhe të bëheshim kaq miq e shokë me njëri-tjetrin.

U lidhëm aq shumë, sa vetëm mbrëmjet na ndanin, sepse ai mirënjohjen e kishte vyrtyt të çmuar. La pas dy fëmijë të mrekullueshëm, Antonelën dhe Ertin, djalit që ma dha mua mundësinë dhe privilegjin ti vendosja emrin. Por të mirët thonë që ikin shpejt… Kështu edhe ai nxitoi drejt botës tjetër, për të na lënë pas pikëllim, dhimbje, por dhe një emër që kurrë nuk vdes, Mejdan Kolë Zhivani!”, shprehet Methasani.

Mejdan Zhivani e nisi karrierën në Shkodrës, më pas u transferua në Tiranë për të jetuar me familjen e tij dhe vijuar profesionin. Humbja e tij ka lënë pas një brengë të madhe për të gjithë ata që e kanë njohur, por mbi të gjithë tek ata që kanë jetuar dhe punuar me të. Mejdani ka qenë simbol i korrektësisë dhe profesionalizmit. Ishte njeriu që vlerësonte shoqërinë, po aq sa edhe familjen e tij. Dhe janë pikërisht këta të fundit që po e vuajnë largimin e tij të parakohshëm nga kjo botë.

La pas dy fëmijë të vegjël, të cilët do të duhet të rriten pa babanë e tyre pranë. Një humbje e madhe për bashkëshorten, që do t’i duhet të vazhdojë jetën pa njeriun e zemrës. Një humbje e madhe për familjen e tij dhe natyrisht që është një humbje e madhe edhe për ne, kolegët e tij. Në këtë përvjetor të largimit të Mejdanit, ngushëllimet më të sinqerta familjes Zhivani për humbjen e njeriut të tyre të dashur. I përjetshëm qoftë kujtimi yt Mejdan!