Vllaznia do të luajë ditën e sotme ndeshjen e kthimit me Partizanin për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Në lidhje me këtë, për gazetarin sportiv, Gaspër Marku, kjo është ndeshja e jetës për Vllazninë.

Marku ka folur për situatën aktuale që po kalojnë shkodranët, teksa u shpreh se ndaj Partizanit është finalja e Vllaznisë e këtij sezoni, ndërsa thekson se një kualifikim në finalen e Kupës së Shqipërisë, i hap një dritë jeshile shkodranëve për përmbushjen e synimeve sezonale.

“Superndeshja Vllaznia-Partizani është ndeshja e jetës për Vllazninë. Kemi folur shpesh herë javë për javë që është kjo javë, na duhet ajo, na duhet kjo, por tashmë kjo është finalja e Vllaznisë. Shpresojmë ta kalojmë me sukses. Megjithatë, komentet janë kritike.

Mos të merremi shumë me problemet dhe anët negative të Vllaznisë, sepse duke pasur parasysh, një thirrje të kapitenit të Vllaznisë, Gurishta, i cili e ka përcjellur në rrjetet sociale, për t’i dhënë mbështetjen e duhur skuadrës. Ai i pranon të gjitha ato kritika që po përcillen, por Gurishta kërkon një mbështetje morale, pasi jemi në prag të një ndeshje shumë të rëndësishme, siç është kjo me Partizanin, ku një fitore, një kualifikim në finale i hap një dritë jeshile.

Të gjithë kanë kërkuar kampionatin, sepse e tillë ishte situata. E keqja e kësaj pune ishte se tifozëria u mësua me Vllazninë e vitit të kaluar.

Me Vllazninë e fitoreve, me Vllazninë e lojës së bukur, me Vllazninë që humbi kampionatin me një gol diferencë, me Vllazninë që fitoi Kupën e Shqipërisë dhe të gjithë pretenduan që tani që u realizua edhe presidenca, me Xhaferin në krye, edhe në fakt lojtarët u grumbulluan, u blenë, u formua skuadra dhe i gjithë opinioni ka qenë i karikuar që Vllaznia të kërkonte titullin, por jo vetëm që tashmë titulli as nuk diskutohet që është krejt i paarritshëm dhe është absurd ta mendosh më. Kemi thënë vazhdimisht që titulli është shumë larg, kemi qenë pesimistë, por tashmë u bë realitet.

Përpos kësaj, edhe zona europiane është e rrezikuar super seriozisht. Partizani na ka spostuar në vendin e pestë. Këtë javë, Vllaznia nuk arriti të shfrytëzojë. Kukësi luajti para Vllaznisë, barazoi dhe Vllaznia pat mundësi të fitonte me Laçin, ishte më e karikuar dhe më entuziaste.

Nuk e shfrytëzoi momentin dhe bëri të kundërtën Partizani. Partizani fitoi me Teutën dhe e spostoi Vllazninë në vendin e pestë dhe tashmë Partizani ngulmon për të kapur zonën europiane.

Përpos kësaj, Partizani fiton edhe anën psikologjike. Vjen në Shkodër me një moral më tepër që ia ka dhënë fitorja.

Janë dy fitore rradhazi që arrin Partizani dhe e vë në vështirësi në aspektin moral Vllazninë për të mërkurën, por gjithsesi problemet janë të shumta, përfshirë edhe ndërrimin e trajnerëve, sepse po flitet vazhdimisht ndërrimi i trajnerit Brdariç. Ndoshta, trajnerit Brdariç i kishte ardhur momenti për t’u ndërruar. Në atë periudhë, mungonin rezultat dhe çdo skuadër ndërhyn në të tilla situata.

Erdhi Mirel Josa tek Laçi dhe shpërtheu Laçi me disa fitore rradhazi dhe u ngrit në qiell. Dy-tre javë luhatje, vendi i dytë dhe zona europiane, u vu në rrezik për Laçin dhe menjëherë ndërhyri presidenca, largoi një post shumë potencial dhe riktheu në pankinë Shpëtim Duron, për t’i dhënë një kurajo më tepër, për t’i dhënë një impuls më tepër skuadrës dhe unë nuk jam dakord që ka gabuar presidenti Xhaferi me largimin e trajnerit Brdariç, sepse ka menduar t’i japë më tepër energji skuadrës.

Ndoshta çalon tek organizimi. Organizimi tek stafi ekzistues. Po flitet shumë në studiot e kryeqytetit, ndoshta largimi i stafit të mëparshëm dhe e ardhja e një tjetri, ndoshta mund t’i kishte dhënë më tepër energji skuadrës, por gjithsesi ato shpresat kanë qenë dhe janë, sepse një trajner si Elvis Plori, që e njeh mirë skuadrën, do të ishte dhe mund të jetë më i dobishëm për të ardhmen, për ta çuar më tej skuadrën, aq më tepër që në krahun e tij, ka ardhur një Auron Miloti.

Një njohës i mirë edhe ky. Një person që konsiderohet të jetë krahu i djathtë i Vllaznisë, por po çalon. 4 ndeshje që nuk fitohet. Plori është gatuar shumë me frymën e Brdariç. Ka marrë shumë prej tij. Ndoshta, ka mbetur dhe ka marrë edhe diçka që e frenon.

Ajo ndërhyrja e presidentit Xhaferi për ta ndryshuar, nuk duhet marrë si gabim fatal, që po lakohet shumë. Presidenti Xhaferi është nisur për mirë.

Plori nuk e ka nisur aspak mirë. Ndoshta, edhe për arsye spontane të dyta, është një fillim shumë-shumë problematik, por pse jo të mos mendojmë që në ndeshjen ndaj Partizanit, mund të ndryshohet gjithçka.

Gjithsesi, nëse Plori me kolegët e tij, ka rezervuar diçka të veçantë, diçka surprizë, një shpërthim, ndeshja ndaj Partizanit do të jetë ndeshja që do të shpalosë gjithçka. Kjo ndeshje lidhet shumë me Vllazninë e ardhshme.

Kjo Vllazni nëse nuk shkon në Europë do ketë probleme në organizimin e skuadrës, në anën e buxhetit, në anën financiare. Vllaznia nëse fiton ndaj Partizanit shkon në finale dhe pastaj hapet rruga edhe për Kupën.

Ndoshta, edhe pa marrë Kupën, nëse del në finale me Laçin, krijohen mundësitë për të shkuar në Europë, hapet një dritë jeshilë për ndërtimin e Vllaznisë së ardhshme. Kjo e bën shumë vendimtare pra, e bën një ndeshje për jetë a vdekje për Vllazninë, që të kalojë turin. Tifozët janë zemëruar se nuk po prodhohet lojë. Megjithate une besoj tek kualifikimi sot i Vllaznise. Madje, mund t’u jap edhe nje parashikim, Vllaznia fiton 3-1”,-tha gjatë prononcimit të tij, gazetari sportiv, Gaspër Marku.
Maringlen ZHIVANI