Legjenda e futbollit shqiptar, Sokol Kushta, ka festuar një datë jubilare për futbollin tonë. Nëpërmjet rrjeteve sociale, ai ka kujtuar 100-vjetorin e klubit Flamurtari, pjesë e të cilit ishte për shumë vite dhe ku shkroi disa nga faqet më të rëndësishme të futbollit në vendin tonë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Kushta kujtoi fillimin e rrugëtimit të Flamurtarit, por edhe vijimin e tij ndër vite, duke shprehur mirënjohjen që kishte si një lojtar i dalë nga radhët e tij.

“Gëzuar 100 vjetorin e Klubit Flamurtari. Në datën 23.03.1923, Asambleja zgjodhi z. Milto Korçari si kryetar, sekretar z. Malo Ismaili dhe financier z. Faslli Zoga. Ky është fillimi i këtij klubi të lavdishëm në Shqipëri.

Një falënderim për të gjithë futbollistët që nuk rrojnë më dhe atyre që festojnë sot. Një falënderim për të gjithë stafet që punuan për vite. Si trajnerë, doktorë, masazhatorë, punëtorë që kontribuuan në ngritjen dhe rritjen e klubit. Një falënderim për të gjithë tifozët e zjarrtë që në asnjë ndeshje nuk na lanë vetëm dhe mbështetja e tyre që e padiskutueshme.

Ndjehem krenar që kam qenë pjesë e këtij ekipi fitues dhe kam kontribuar në titujt e fituar. Dhe do i jem borxhli tërë jetën këtij klubi që më formoi si futbollist. Suksese sot në rrugën për ngritjen e ekipit në Super Ligën shqiptare”, shkruante Kushta në postimin e tij në rrjetet sociale.