Një fakt shumë interesant. Dy mbrojtës të majtë brenda së njëjtës familje. Ka ndodhur vite më parë me vëllezërit Dedja, Menduhin dhe Hysenin dhe përsëritet sërish. Këtë herë me vëllezërit Smajli, Brendonin dhe Geralbin.

I pari, Brendoni, ka qenë pjesë e Vllaznisë deri një muaj më parë sepse tashmë ka zgjedhur të luajë për Teutën, ndërsa i dyti, Geralbi është aktualisht pjesë e ekipit të 19 vjeçarëve të klubit shkodran.

I datëlindjes 16 maj 2002, Geralb Smajli e ka nisur karrierën te Akademia Vllaznia, më pas ka kaluar në Tiranë ku ka kryer shkollën dhe ka luajtur për ekipin e Shkëndisë.

Këtë vit ndërkohë është rikthyer në Shkodër dhe i është bashkuar ekipit Vllaznia U19. Trajneri Luan Zmijani po e aktivizon në rolin e mbrojtësit të majtë. Kemi të bëjmë me një futbollist që luan mirë me të dyja këmbët, kryen mirë detyrat mbrojtëse, por është edhe gjithmonë në mbështetje të sulmit.

Smajli “i vogël” duket shumë i motivuar për të ecur përpara por sigurisht që i duhet të punojë shumë. Karriera e tij sapo ka nisur dhe për t’u bërë i suksesshëm duhet edhe fat, të cilin urojmë që ta ketë.
/SHKODRA-SPORT.COM/