Barcelona do të kërkojë t’i japë edhe një shtytje më shumë çështjes së titullit në La Liga, teksa sonte në mbrëmje do të presë Osasunën në “Camp Nou”.

Me klubin nga Pamplona, që po mendon për finalen e Kupës së Mbretit kundër Realit (të shtunën në Sevilje), Barça kërkon të përfitojë. Gazetarët e kanë ngacmuar trajnerin e Barçës, Ksavi Hernandez, si për finale e Kupës së Mbretit, ashtu dhe për takimin e mesjavës së ardhshme që Reali do të luajë kundër Sitit në Champions.

NDESHJA “Nuk e di me çfarë formacioni do të zbresë në fushë Osasuna. Të shtunën kanë ndoshta ndeshjen më të rëndësishme në historinë e tyre. Por ne duhet të shohim punën tonë dhe të bëjmë një paraqitje si ajo ndaj Betisit”.

FINALJA E KUPËS “Si mendoni se do të jem tifoz me Realin? Ndaj po ua kthej pyetjen me pyetje. Besoj se e keni të qartë (qesh). Unë di të them se uroj që Osasuna mos të fitojë ndaj nesh. Pastaj të shtunën…”.

TITULLI NË DERBI “Sa më shpejt ta fitojmë aq më mirë është. Na mungon titulli në La Liga dhe të gjithë mezi po e presim. Pastaj nëse e fitojmë në fushën e Espanjolit apo dikur tjetër kjo nuk më shkakton ndonjë ndjesi të veçantë”.

VLERËSIMET E ANÇELOTIT “Edhe ne e përgëzuam Realin në sezonin e kaluar. Ne si profesionistë e dimë se titullin në La Liga e fiton më i miri, ai që ka pasur më shumë vijimësi në rezultate, ai që ka qenë më konstant. Kompeticionet me eliminim të drejtpërdrejtë nuk më duken shumë të ndershëm. Nuk e kemi fituar ende titullin, por i vlerësoj fjalët e Ançelotit”.

MANÇESTER SITI “Për mua janë skuadra më e mirë në botë. Futbolli që ata bëjnë është një pasqyrë ku duhet të shihemi. Kanë trajnerin më të mirë në botë. Do të kënaqesha nëse fitojnë tripletën”.